Vlora vijon të përballet me krizën e furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa protesta e qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile përpara Bashkisë ka sjellë tensione të forta. Qytetarët dhe mbështetës të Partisë Demokratike po grumbullohen për të kërkuar zgjidhje për ndërprerjen që tashmë zgjat katër ditë.

Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, protestuesit kanë tentuar të futen brenda Bashkisë dhe janë përplasur me policinë. Ata kanë goditur me bidona derën kryesore dhe kërkojnë takim me kryetaren e Bashkisë, ndërsa forcat e rendit po përpiqen të mbajnë situatën nën kontroll dhe të garantojnë sigurinë publike.

Krizën e furnizimit me ujë e ka shkaktuar një defekt në linjën kryesore të ujësjellësit, ndërsa tentativat për riparim gjatë tre ditëve të fundit kanë dështuar për shkak të presionit të lartë që vazhdon të çajë pjesët e riparuara. Mijëra familje janë ende pa ujë dhe disa qytetarë janë parë duke mbushur bidona nga deti ose duke përdorur burimet lokale me mjete primitive. Shërbimet kritike, përfshirë spitalin dhe institucionet e rëndësisë së veçantë, furnizohen përmes boteve të zjarrfikësve nga burimi “Uji i Ftohtë”.

Situata ka tensionuar gjithashtu planin social: javën e kaluar qytetarët protestuan duke ndërhyrë në një mbrëmje gala të Bashkisë, duke shkaktuar bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali” dhe përplasje me policinë. Protesta e sotme pritet të jetë një tjetër moment kyç në kërkesën për zgjidhje të menjëhershme të furnizimit me ujë të pijshëm në qytet.