Në seancën e kësaj të marte për çështjen “Gërdeci”, SPAK paraqiti listën e fundit të provave shkresore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Mes provave të administruara ndodhet edhe një faks i dërguar nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, me shënimin “Për Shkëlzenin”.
Prokurori Arben Kraja rezervoi të drejtën për të marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitares, Anjola Agollin, ish-sekretaren e Aldo Bumçit, i cili mbante postin e ministrit të Drejtësisë në kohën kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Organi i akuzës i bëri me dije gjykatës se ka gjetur adresën e vendbanimit të Anjola Agollit, e cila deri në këtë fazë nuk është pyetur nga GJKKO.
Seanca e radhës gjyqësore u caktua për datën 14 janar, në orën 09:00. Në seancë mungonte Fatmir Mediu, i cili u përfaqësua nga mbrojtësit e tij ligjorë.




















