Prej 4 ditësh qyteti i Vlorës nuk furnizohet me ujë për shkak të një defekti që ka ndodhur në linjën kryesore. Kjo problematikë ka nxitur protesta nga qytetarët ndërsa Kryebashkiakja e Vlorës Brunilda Mersini tha se problemi tashmë është drejt zgjidhjes.
Mersini u shpreh se deri në ardhjen e pjesës së nevojshme për rikuperimin final të dëmit, është gjetur një zgjidhje provizore ndërsa në qytet operojnë mbi 15 bote uji, ku përparësi për furnizim u është dhënë institucioneve. Ajo tha se protesta drejtohet nga anëtarët demokratë Këshillit Bashkiak dhe se nuk është momenti për të bërë opozitë me një fatkeqësi.
“Mendoj që nuk është momenti të ndajmë përgjegjësitë. Ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë, por është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi. Lajmi i mirë është se sot testimi ka rezultuar pozitiv në provën e fundit dhe një pjesë e qyteti, pra ajo e Lungomares me një presion minimal për të mos rritur niveli ne riskut derisa të bëjmë zgjidhjen përfundimtare.
Pompa në këtë testim gradual do të fillojnë të furnizojnë pjesë të veçanta të qytetit. Por theksoj se në qytet operojnë prej 3 ditësh mbi 15 bote uji, por i kemi dhënë prioritet institucioneve. Protesta organizohet nga opozita dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës. Nuk është momenti që të bëjnë opozitë me një fatkeqësi natyrore. Kjo është një analizë që i takon ndërmarrjes së ujësjellësit. Lajmi i mirë është që pjesa është gjendur dhe është duke mbërritur në aeroportin e Rinasit”, tha Brunilda Mersini.
Për Report Tv gjithashtu foli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Faluers Shoshi, i cili sqaroi problematikën.
Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë.
Punonjësit e ujësjellësit dhe inxhinierët janë në krye të detyrës. Mirënjohje për punonjësit që kanë qëndruar 72 orë në ujë dhe në kushte brutale atmosferike për t’i sjellë ujë qytetit. Ndjesë të gjithë qytetarëve që nuk po marrin furnizim dhe u themi se jemi në detyrë ditë e natë, deri sa ta kthejmë furnizimin me ujë të Vlorës në normalitet”, tha Drejtori i Përgjithshëm i AKUK Flauers Shoshi.




















