Beteja mes SPAK dhe kryeministrit Edi Rama duket se po futet në një kacafytje inatçore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar deri në gjykim masën e kërkuar nga SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Pas ditës së parë të punës prej saj, SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizim për të çuar në GJKKO kërkesën për arrest me burg për Belinda Ballukun, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka caktuar 22 janarin e 2026 si datë për shqyrtimin e masës së parë të kërkuar nga SPAK.

Beteja po kalon në një kacafytje inatçore dhe pa sens, pasi qeveria nuk ka refuzuar masën e dhënë nga SPAK në rastin Balluku. Qeveria e ka pezulluar atë dhe i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nëse SPAK ka të drejtë të pezullojë një zëvendëskryeministre apo jo. Kërkesa nuk ka të bëjë me zonjën Balluku, por me parimin nëse SPAK mund të ketë vijë të kuqe të ndërhyjë në këtë pikë apo jo. Dhe Gjykata u shpreh se, derisa ta gjykojë ajo kërkesën që në thelb nuk ka të bëjë me problemet e Ballukut me drejtësinë, por me problemet e SPAK me pushtetin politik, i ka hequr pezullimin.

Pas kësaj do të ishte normale që të gjithë të prisnin 22 janarin, për të marrë fillimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar më tej kacafytjen politike.

Akti i sotëm i SPAK tregon se ata i qëndrojnë idesë që duhet të jenë në betejë politike me qeverinë dhe nuk janë të kompleksuar fare nga procesi në Gjykatën Kushtetuese.

Për një moment ta zëmë se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë SPAK më 22 janar. Atëherë cila masë qëndron për Ballukun, ajo që kërkojnë sot, apo ajo që kanë kërkuar disa javë më parë?

Ky mishmash ligjor, vetëm për t’u treguar se kush është më i fortë, po e kthen betejën e SPAK me pushtetin politik si betejë gladiatorësh, që po humbet standardet që duhet të vendosen dhe që në një farë mënyre janë vendosur edhe më parë me gjykimin e zyrtarëve të lartë.

Normale do të ishte të pritej data 22 janar, dhe nëse SPAK e fitonte atë betejë, nuk kishte nevojë për këtë masën e propozuar sot. Nëse e humbiste, natyrisht që mund të provonte edhe këtë masë, apo më të rëndë a më të lehtë, por mund të mos ishte nevoja, pasi zonja Balluku pastaj mund të jepte dorëheqje.

Kështu që nuk kishte më nevojë për gjithë këtë spektakël.

Se kjo nuk është betejë vetëm me qeverinë, por edhe me gjykatat e vendit, dhe në rastin konkret me Gjykatën Kushtetuese, të cilën nuk e komandojnë dot si GJKKO, që e kanë në përgjim 24 orë pa autorizim.

Pra SPAK ka reaguar si një aktor i pakënaqur nga Gjykata Kushtetuese dhe ka rënduar masën e sigurisë si një reaksion kundër Gjykatës Kushtetuese. Kjo tani nuk është më procedurë, por është betejë edhe me gjykatat që SPAK nuk ka nën kontroll.

E gjithë kjo lë shijen e një beteje inatçore, e cila mund të shmanget vetëm duke respektuar procedurat që ka nisur vetë SPAK dhe që janë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Të mbarojnë njëherë punë më 22 janar, pastaj nëse fiton SPAK, s’ka nevojë për masa të reja, dhe nëse fiton qeveria, natyrisht do ketë zhvillime politike për t’i hapur rrugë drejtësisë. Por jo kacafytje inatçore./TEMA