Ish-kryetari i degës së PD në Kavajë, Hysen Kadiu, ka bërë një reagim në rrjete sociale pasi mori pjesë në takimin e djeshëm të Ervin Salianjit në Durrës. Në një postim në rrjete sociale, Kadiu shprehet se qëllimi i takimit ishte ndarja e ideve dhe mendimeve në të mirë të partisë.

Ai shprehet se e vërteta nuk mund të fshihet nga ata që bëjnë thirrje entuziaste, duke shtuar se partia ka nevojë për “ndryshim, freskim dhe frymëmarrje”. Sipas Kadiut, vetëm duke folur hapur e gjetur rrugën për reformim, do të mund të rrëzojnë qeverinë e Ramës.

“Të vërtetat, edhe kur dhembin, duhen thënë. Përndryshe, gabimet përsëriten dhe asnjë qëllim i mirë nuk arrihet dot. Ky ishte edhe qëllimi i takimit në Durrës, ku së bashku me miq e shokë demokratë ndamë mendime e ide për të bërë më të mirën për PD-në. E vërteta e hidhur nuk mund të mbulohet me thirrjet entuziaste të atyre që fshehin problemet pas posteve të dhuruara. PD ka nevojë për ndryshim, për freskim, për frymëmarrje.

Ashtu si ka nevojë për Sali Berishën dhe kontributin e tij të padiskutueshëm në partinë tonë. Vetëm duke folur hapur, duke diskutuar dhe duke gjetur rrugët për t’u reformuar do të mund të përcaktojmë kthesën që na duhet për të mundur Edi Ramën dhe PS-në. Kjo është mundësia jonë për të sfiduar dhe për të fituar mbi regjimin e Edi Ramës”, shkruan ai.

Kadiu ishte një ndër personat më të votuar në procesin e Primareve për Tiranën. Ai u tërhoq nga gara për deputet pasi Berisha nuk e vendosi në listën e mbyllur.