Prokurorja e posaçme Doloreza Musabelliu, njëkohësisht kandidate për drejtimin e SPAK, ka bërë një përmbledhje të disa prej dosjeve më të rëndësishme që ka hetuar gjatë karrierës së saj në sistemin e drejtësisë.

“Kam pasur çështje të trafikut të narkotikëve prej 2004-ës. Mund të përmend një çështje të vitit 2005. Ka qenë çështje senisitive, një çështje tjetër e 2015 për herë të parë u evidentua rasti i trafikut ajror të lëndëve narkotike, u dërguan për gjykim 7 persona dh enjë oficer policie gjyqësore që u dënuan me vendim të formës së prerë.

Janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në rastin e trafikut të narkotikëve. Këto hetime të karakterit ndërkombëtar, kanë forcuar aftësinë time për të menaxhuar çështje komplekse dhe për të arritur rezultate konkrete. Lufta kundër trafikut është bërë prioritet global dhe kërkon qase të avancuara hetimore, të cilat kamë pasur mundësinë ti aplikoj që në nisje të karrierës sime.

Kam patur në hetim çështje vrasjes, për motive familjare, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës vrasje për hakmarrje, në rrethana të tjera cilësuese apo gjakmarrje. Vrasje ndaj një funksionari të forcave operacionale të drejtësisë etj.

Pas vitit 2014 dhe ndryshimeve ligjore, kam pasur mundësinë të hetoj çështje të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin”, tha ajo.