Kërkesa e PD-së për të mbajtur interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me ankimimin e pezullimit të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese nuk është pranuar. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se çështja është në Kushtetuese dhe duhet pritur vendimi nga ana e gjykatës.
74 deputetë votuan kundër dhe vetëm 17 ishin pro për mbajtjen e interpelancës.
“Objekti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa për interpelancë urgjente sipas parashikimit kushtetues, nuk është pranuar se çështja është aktualisht në Gjykatën Kushtetuese dhe është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat e ndarjes së pushtetit.”, tha Peleshi.
Qeveria, në kërkesën depozituar në Gjykatën Kushtetuese, argumentoi se GJKKO me vendimin për pezullim ka shkelur kompetencat e Këshillit të Ministrave, Presidentit dhe Kuvendit. Por, PD, në kërkesën për interpelancë theksonte se Rama ka paraqitur pretendime në Kushtetuese në emër të Kuvendit pa marrë asnjë qëndrim nga ana e këtij institucioni.

















