Presidenti Vladimir Putin tha se Moska nuk pajtohet me disa pjesë të një plani amerikan për mënyrën e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, pas bisedimeve me negociatorët e SHBA-së në Kremlin.
“Herë pas here thamë se po, mund ta diskutojmë këtë, por me këtë nuk mund të biem dakord”, tha Putin për India Today.
Ai nuk i përmendi pikat problematike. Të paktën dy pika kryesore mbeten të kontestuara, fati i territoreve ukrainase të pushtuara nga forcat ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
I dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, i cili udhëhoqi ekipin amerikan në bisedimet e së martës, pritet të takohet me negociatorët ukrainas në Florida.
Trump tha se bisedimet ishin “mjaft të mira”, duke shtuar se ishte herët për të thënë se çfarë do të ndodhte.
Putin tha se Moska nuk kishte parë një version të modifikuar të planit amerikan për paqe para bisedimeve të tij gati pesë-orëshe me Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Trump.
“Na duhej të kalonim çdo pikë, prandaj zgjati kaq shumë”, tha Putin.
Ai theksoi përsëri se trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga rajoni lindor i Donbasit, madje edhe nga zonat që ende kontrollohen prej tyre. Forcat ruse aktualisht kontrollojnë rreth 85% të Donbasit.
“Ose ne i rikthejmë këto territore me forcë, ose eventualisht trupat ukrainase të tërhiqen”, tha presidenti rus.
Këshilltari i lartë për politikën e jashtme dhe negociatori kryesor i Putinit, Yuri Ushakov, tha më parë se bisedimet në Kremlin nuk prodhuan “asnjë kompromis” për përfundimin e luftës.
Ushakov gjithashtu nënkuptoi se pozicioni negociator rus ishte forcuar falë asaj që Moska e quante sukseset e saj të fundit në terren.
Kur një gazetar e pyeti të mërkurën nëse Witkoff dhe Kushner besonin se Putin donte të përfundonte lufta, Trump tha se lideri i Kremlinit “do të donte të përfundonte luftën. Kjo ishte përshtypja e tyre”.
Por ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybhiia, akuzoi Putinin se po “humbet kohën e botës”, ndërsa ambasadori ukrainas në SHBA tha se ata nuk “duan të presin premtime nga Rusia”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deri tani ka përjashtuar dhënien e ndonjë territori ukrainas, duke insisituar për garanci të forta sigurie për Ukrainën në çdo marrëveshje.
Të mërkurën, ai tha se “bota ndjen qartë se ka një mundësi reale për të përfunduar luftën”, por negociatat duhet të jenë “mbështetur nga presioni mbi Rusinë”, të cilën Kievi dhe aleatët e tij evropianë e akuzojnë se vonon qëllimisht çdo marrëveshje për armëpushim.
Zelensky kishte thënë më parë se negociatorët e tij kryesorë kishin arritur të bënin disa ndryshime kyçe në planin origjinal amerikan për paqe, i cili shihej si shumë në favor të Moskës, gjatë bisedimeve të javës së kaluar me një delegacion amerikan në Gjenevë.
Në një deklaratë të përbashkët, negociatorët amerikanë dhe ukrainas thanë se kishin hartuar një “kuadër të përditësuar dhe të rafinuar për paqe”, por nuk dhanë më shumë detaje.
Negociatorë kryesorë nga Evropa, të cilët kishin shprehur shqetësime për planin origjinal amerikan, ishin gjithashtu në qytetin zviceran, duke u takuar veçmas me ekipet ukrainase dhe amerikane.
Në një zhvillim tjetër, të enjten, faqja gjermane e lajmeve Der Spiegel tha se kishte siguruar një transkript konfidencial të një telefonate konference ku liderët evropianë shprehën shqetësimin për negociatat amerikane.
“Ekziston mundësia që SHBA të tradhtojë Ukrainën për çështjen e territorit pa qartësi mbi garancitë e sigurisë,” thuhet se ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron, sipas një transkripti në anglisht të telefonatës të hënën.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz citohet të ketë paralajmëruar se Zelensky duhet të jetë “jashtëzakonisht i kujdesshëm në ditët në vijim”.
“Ata po luajnë lojëra, si me ju ashtu edhe me ne”, ka thënë Merz.




















