Protesta e shkaktuar nga fermerët e vendit fqinj, po përhapet me shpejtësi në të gjithë territorin, duke paralizuar qarkullimin dhe duke ushtruar presion të fortë mbi qeverinë greke. Autoritetet paralajmërojnë se ligji do të zbatohet, ndërsa fermerët mbeten të vendosur të mos tërhiqen pa zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre.

Mijëra makineri bujqësore janë rreshtuar në rrugët kombëtare, zyrat doganore dhe pikat kyçe të Greqisë, duke e kthyer protestën e shkaktuar nga fermerët e vendit fqinj në një lëvizje mbarëkombëtare.

Fermerët po intensifikojnë presionin ndaj qeverisë, ndërsa bllokadat shtohen çdo ditë dhe numri i traktorëve në akset kryesore është në rritje të vazhdueshme.

Ata kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në dialog pa angazhime të qarta për zgjidhjen e problemeve themelore, duke e cilësuar çdo iniciativë për diskutim në këtë kohë si “minim të luftës”.

Në këtë kuadër, mediat e vendit fqinjë raportojnë se ditët në vijim konsiderohen kritike, pasi pritet përshkallëzim i mëtejshëm me mundësi bllokadash të përgjithshme në rrugë dhe porte.

Në Selanik, të premten pasdite, u regjistruan përleshje mes fermerëve dhe policisë. Një traktor u drejtua kundër oficerëve të policisë, ndërsa një grup protestuesish plagosën një oficer gjatë tentativës për të thyer barrierat. Nga ana e tyre, fermerët raportuan katër të plagosur, disa prej të cilëve nga përdorimi i gazit lotsjellës.

Autostrada Egnatia, si dhe doganat në Kipi, Exochi, Promachona, Evzoni dhe Niki janë mbyllur për orë të tëra. Mbi 200 traktorë kanë bllokuar qarkullimin për ditë me radhë, duke lejuar kalimin vetëm të kamionëve me mallra që prishen.

Rreth 500 kamionë mbeten të palëvizshëm në anën greke.

Rroga në Greqinë qendrore, rruga kombëtare Athinë–Selanik është e mbyllur nga mbi 4,000 traktorë, ndërsa bllokada të tjera janë ngritur në autostradën E65 dhe në Trikala.

Fermerët paralajmërojnë se nga e hëna mobilizimet do të ashpërsohen, duke përfshirë edhe bllokimin e portit të Volosit.

Fermerët kanë ngritur bllokada në akset kryesore, ndërsa pritet që të bashkohen me mobilizimet e përgjithshme në ditët e ardhshme.

Fermerët e Kretës Lindore kanë paralajmëruar tubime masive në stadiumin Pankretan dhe bllokime në rrugët kryesore të ishullit.

Kryetarët e bashkive në Sfakia, Platanias dhe Anogia kanë shprehur mbështetje të plotë për protestën, duke kërkuar pagesën e menjëhershme të subvencioneve, uljen e kostove të prodhimit dhe mbrojtjen e sektorit primar.