Mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku do të shqyrtohet kërkesa e PS për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës është shtyrë për të martën në orën 10:00. Të gjithë deputetët opozitarë u paraqitën në mbledhje, ku pretenduan se po përjashtohen padrejtësisht.
Korreshi: Do të duhet që mbledhja të jetë e hapur. Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike.
Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e mbledhjes me qëllim që opozita të njihet me provat. Bardhi akuzoi PS se ka përfshirë në kërkesën për masa disiplinore edhe deputetë që nuk janë përfshirë në kaos, duke i thënë se kërkon të fshijë opozitën nga Kuvendi. Sipas Bardhit, kjo ishte bërë me qëllim që anëtarët e Këshillit të Mandateve të mos marrin pjesë në mbledhjen për Ballukun sot në 10:30, ku SPAK kërkon autorizim për arrestimin e saj. Por, Etika e shty mbledhjen për ditën e martë.
Sipas kërkesës zyrtare të depozituar nga Grupi Parlamentar i PS-së, kërkohen masa disiplinore ndaj 29 deputetëve të opozitës, pas incidenteve të ndodhura një ditë më parë në seancën plenare të Kuvendi i Shqipërisë.
Grupi Parlamentar socialist pretendon se veprimet e deputetëve të PD-së gjatë seancës plenare kanë qenë të mirëorganizuara dhe të koordinuara, duke cenuar zhvillimin normal të punimeve parlamentare.
Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kërkohet 60 ditë përjashtim nga aktivitetet parlamentare pasi kanë futur në parlament dhe kanë përdorur lëndë apo mjete piroteknike dhe tymuese, referuar këtu flakadanëve të ndezur në seancë. Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu janë përjashtuar gjatë seancës plenare pas kaosit që krijuan dhe gjuhës joparlamentare të përdorur. Ndaj tyre mazhoranca kërkon përjashtimin për 60 ditë.
Për deputeten Elda Hoti është kërkuar të përjashtohet me 30 ditë nga aktivitetet e Kuvendit pasi ka dëmtuar pajisjet e parlamentit, referuar shkuljes së mikrofonave dhe ka goditur punonjësit e Gardës, thuhet në kërkesën e PS-së. Gjithashtu për 30 ditë kërkohet dhe përjashtimi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, për të cilët mazhoranca thotë se anë penguar zhvillimin e rregullt të seancës dhe kanë thyer Kodin e Sjelljes me gjuhën e përdorur.
PS ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi pasi kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë shkaktuar kaos dhe kanë dhunuar punonjësit e Gardës.
Me 10 ditë kërkohet dhe përjashtimi i deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, pasi kanë penguar zhvillimin e seancës parlamentare.




















