Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, nga sallat e reja të kimioterapisë, u shpreh sot se përmirësimi i kushteve në Spitalin Onkologjik, përmes shtimit të sallave dhe shërbimeve, është vetëm hapi i parë drejt një trajtimi të sigurt dhe dinjitoz për pacientët.

Ajo theksoi se vijon puna për garantimin e barnave onkologjike. Investimi në sallat e reja të kimioterapisë është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, duke përbërë një hap të rëndësishëm për ofrimin e një trajtimi më të sigurt, më komod dhe më dinjitoz për pacientët.

Ministrja Sala, në një videomesazh në rrjetet sociale nga sallat e reja të kemioterapisë, tha se që në ditën e parë të detyrës saj, angazhimi ka qenë që shërbimi onkologjik të jetë një përparësi.

Sot ndodhem sërish në Shërbimin Onkologjik, në sallat e reja të kemioterapisë, të cilat po i vëmë në funksion për pacientët tanë. Rritja e kapacitetit përmes shtimit të nurmit të sallave dhe përmirësimit të kushteve është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, si një hap i rëndësishëm për të ofruar trajtim më të sigurt, më komod dhe më dinjitoz.

Që në ditën e parë të detyrës, angazhimi im ka qenë që shërbimi onkologjik të jetë një përparësi. Shërbimi që ofrohet këtu prek jetën e shumë familjeve dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme. Çdo pacient që kalon këto korridore vjen me sfida, me shpresë. Dhe është detyrë e jona të krijojmë kushte sa më të mira përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë.

‘Ky është vetëm hapi i parë. Puna po vijon paralelisht për garantimin e barnave onkologjike. Në buxhetin 2026 për herë të parë është planifikuar rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për pacientët që trajtohen në këtë spital, duke rritur fondin me 1.5 miliardë lekë dhe duke krijuar një mbështetje më të plotë për trajtimin. Mirënjohje dhe respekt për mjekët, infermierët, farmacistët dhe gjithë stafin shëndetësor, të cilët çdo ditë janë forca që mban në këmbë këtë shërbim jetik’, tha ajo.