Rriten kursimet në banka. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në bankë kanë pësuar shtim si në lekë edhe në monedhën europiane. Depozitat në monedhën kombëtare rezultojnë se janë 10 miliardë më shumë gjatë muajit tetor duke arritur në 898 miliardë.

Ndikimi kryesor ka ardhur pothuajse nga individët, që kanë shtuar depozitimet në banke, si pa afat ashtu dhe me afat.Mesa duket edhe vendimi për uljen e normës së interesit në 2.5%, nga 3.25% që ishte deri në maj 2024 nuk ka stepur qytetarët për të depozituar paratë. Ulja e normave të interesit nënkupton më pak fitime për qytetarët që kanë para në depozita bankare.

Depozitat janë shtuar edhe në monedhën europiane. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë vërehet se në tetor depozitat në euro kanë shkuar në 8.66 miliarde duke pësuar një rritje me gati 36 milionë euro.

Në këtë segment shtimi i depozitave është ndikuar kryesisht nga bizneset por edhe nga individët.Rrotja e depozitave në monedhën europiane është një faktor që tregon se në ekonominë shqiptare qarkullon sasi e lartë e kësaj monedhe duke bërë që të këmbehet me rreth 96 lekë një ndër nivelet më të ulëta të regjistruara deri më tani.

Në total sipas Bankës së Shqipërisë totali i kursimeve në fund të tetorit, ishte 1.46 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 122 miliardë lekësh, ose 9.1% më shumë.