Shkrimtari Albatros Rexhaj ka folur në emisionin “Opinion” në lidhje me raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Rexhaj tha se në Shqipëri amerikanët janë lojtarë shumë të rëndësishëm sa i përket Prokurorisë së Posaçme. Rexhaj bëri një krahasim me prokurorinë speciale të Kroacisë disa vite më parë, që ndryshe nga Shqipëria, projekti ishte tërësisht europian.

“Dallimi me SPAK është se përderisa USKOK ishte një projekt tërësisht europian dhe amerikanët aty qëndronin vëzhgues, në Shqipëri amerikanët janë lojtarë dhe janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Shembull është fakti që Mark Fleming që është zyrtari më i lartë në DASH që merret me rajonin erdhi në Shqipëri në kohën e asaj që quhet “government shutdoën”, kur buxheti në Amerikë është i bllokuar dhe me rregulla zyrtarët publikë kanë të drejtë të harxhojnë vetëm paranë e cila mendohet se është në interesin strategjik të SHBA-ve. Konsiderohet buxhet ekstrem për situata mjaft të rëndësishme. Në një bllokadë të tillë ai erdhi në Shqipëri, erdhi në SPAK, dha përkrahjen e tij”, u shpreh Rexhaj.

Ai theksoi se në projektligjin amerikan, i cili ekziston, por ende nuk dihet nëse do aprovohet thuhet se Shqipëria është spiranca në rajon për interesat strategjike amerikane.

“Thotë Shqipëria është spiranca në rajon për interesat strategjike për SHBA-të. Ka një kohë, është bërë një punë shumë e madhe. Kryeministri është pjesë e atij procesi me të mirat dhe të këqijat e veta që Shqipëria të profilizohet si spirancë rajonale e interesave amerikane. Kjo është një gjë që tani është fakt dhe nëse kjo dështon është e papranueshme për Uashingtonin zyrtar. Jo që janë mbështetës të fortë, por ata e konsiderojnë SPAK-un si diçka që është tepër e rëndësishme për interesat e tyre strategjike në rajon. Nuk është në pyetje vetëm Shqipëria”, tha Rexhaj.

Ai shtoi më tej se ajo që po ndodh në Shqipëri po “streson” kryeqytetet e tjera në Ballkanin Perëndimor.

“Janë shumë në stres me këtë eksperimentin që po ndodh në Shqipëri, sepse çfarë do të ndodhë sot në Shqipëri, nesër do ndodhë në Shkup, ka filluar të ndodhë në Beograd”, tha Rexhaj sipas të cilit synohet të hiqet kultura e pandëshkueshmërisë, ideja se shteti është pronë private dhe mundësisë që Rusia dhe Kina nëpërmjet praktikave korruptive të cënojnë sigurinë kombëtare të vendeve aleate.

“Kina është aktori më aktiv në rajon për moment, përfshirë edhe Shqipërinë. Nuk ka të bëjë vetëm me investimet, por edhe me teknologjinë. Një nga mëkatet e zonjës Balluku është që komplet infrastruktura energjetike kritike, ajo që konsiderohet nyjet kritike, pjesa inteligjente e rrjetit është teknologji kineze dhe ekzistojnë dokumente”, tha Rexhaj.