Përpara vizitës së saj zyrtare në Athinë të martën e ardhshme, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dha këtë fundjavë një intervistë për gazetën greke TA NEA.
E pyetur për agjendën e çështjeve që do të trajtojë me homologun e saj grek Giorgos Gerapetritis, ministrja theksoi se “po vij në Athinë për të diskutuar 360 gradë, për gjithçka”.
“Për listën tonë shumë të gjatë, e theksoj, shumë të gjatë, të bashkëpunimit dhe pikave të forta, por edhe për fushat ku mund të përmirësohemi. Për Shqipërinë, Greqia është një partner strategjik, një fqinj me rëndësi të jashtëzakonshme, dhe vullneti ynë është të ecim përpara në frymën e bashkëpunimit të ngushtë, miqësisë dhe vlerave evropiane. Marrëdhëniet tona janë tashmë shumë të afërta.
Megjithatë, besoj se ato mund të zgjerohen në fusha strategjike si energjia, veçanërisht energjia e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi digjital, turizmi, siguria dhe shumë të tjera”, tha Spiropali.
Prioriteti sipas saj, është të hapim një kapitull të ri, kapitullin më të mirë deri tani në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Spiropali u pyet se cilat mund të jenë hapat e ardhshëm për çështjen ende të pazgjidhur mes Greqisë dhe Shqipërisë lidhur me përcaktimin e zonave detare.
Sipas saj, Shqipëria mbetet fuqimisht e angazhuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull me Greqinë, përfshirë përcaktimin e zonave detare dhe marrëveshjet që lidhen me disa aspekte të kufirit tokësor, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe respektimin e parimeve të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Në periudhën në vijim, të dyja palët duhet të vazhdojnë të forcojnë kanalet e hapura të komunikimit për të siguruar që rruga përpara të mbetet konstruktive, në respekt të ndërsjelltë dhe në përputhje me aspiratat e përbashkëta evropiane të dy vendeve tona”, tha Spiropali.
Lidhur me ndihmën që Greqia mund t’i japë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian gjatë 2027, kur vendi fqinj do të marrë Presidencën e BE, Spiropali nënvijëzoi se “pritshmëria jonë është që Greqia të përdorë zërin dhe peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane në rajonin tonë, ku Greqia dhe Ballkani Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike, e jo si periferi të ndara”.
“Ne besojmë se, nën udhëheqjen greke, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës evropiane, në procesin e zgjerimit, në ndërlidhje, në energji dhe në siguri, jo si një shënim dytësor krahas prioriteteve të tjera, por si një investim thelbësor në stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës”, tha ajo.
Integrimi sipas Spiropalit, do të jetë i dobishëm për të gjitha palët e përfshira.
“Sipas mendimit tim modest, besoj se do të jetë një fitore edhe për Greqinë. Vlerësoj se është në interesin më të mirë të Greqisë dhe të qytetarëve grekë, të kenë në kufijtë e tyre një hapësirë më të gjerë evropiane, ku të bashkëveprojnë, të angazhohen, të bashkëpunojnë dhe të rriten bashkarisht. Kështu do të kenë në kufi një partner më të fortë evropian. Për momentin, Bullgaria është i vetmi fqinj i Greqisë që është anëtar i BE-së. Krijimi i një korridori të dytë tregtie, energjie, transporti dhe lidhjeje digjitale, që shtrihet nga Greqia përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe më tej në zemër të Evropës, do të sillte përfitime shtesë për të gjitha vendet tona, përfshirë edhe Greqinë”.
Në intervistë, Spiropali u fokusua edhe te forcimi i bashkëpunimit që mbështet mirëqenien e diasporës sonë, përfshirë lehtësimin e procedurave administrative, si dhe krijimin e mundësive më të forta arsimore dhe kulturore për fëmijët e tyre.
Ndër to edhe futjen e gjuhës shqipe, si lëndë me zgjedhje në shkollat greke.
“Të dyja qeveritë po punojnë, gjithashtu, intensivisht për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe për sigurimet shoqërore, e cila do të garantojë njohjen e drejtë të pensioneve dhe kontributeve për qytetarët tanë, duke mbrojtur vitet e tyre të punës dhe të ardhmen e tyre”, tha ministrja e Jashtme Spiropali.




















