SPAK ka bërë publik një sqarim këtë të premte mbi pretendimin e kryebashkiakut Erion Veliaj mbi ecurinë e procesit gjyqësor ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë, duke theksuar se deri tani janë shtyrë tetë seanca, kryesisht për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve dhe kërkesave të tyre të pabazuara, gjë që ka penguar përfundimin e fazës paraprake.
Në reagim, SPAK kundërshton pretendimet e Veliajt për mungesë njohjeje me aktet, duke saktësuar se janë respektuar të gjitha detyrimet ligjore. Prokuroria bën të ditur se mbrojtësit e tij kanë marrë kopjen e plotë të dosjes, si dhe materialet shtesë të hetimit, pa kosto dhe brenda afateve të parashikuara.
SPAK nënvizon se çdo vonesë apo keqkuptim pas marrjes së akteve lidhet me komunikimin midis të pandehurit dhe avokatëve të tij, pa përfshirjen e organit procedues.




















