Vizita e Ministres së Jashtme për Europën dhe Punët e Jashtme në Greqi duket se ka hapur disa tema që nuk kanë qenë aspak të rehatshme për t’u dëgjuar nga korridoret e politikës dhe medias greke. Sipas reagimeve, kjo vizitë ka shkaktuar jo vetëm bezdi, por edhe shqetësim të dukshëm në Athinë.
Përmendja e çështjes së Çamërisë, ligjit të luftës, çështjes së detit dhe temave të tjera të ndjeshme ka ngritur një zhurmë të konsiderueshme mediatike. Në disa media greke pretendohet se politika e jashtme e Greqisë i është nënshtruar kërkesave të Spiropalit dhe Tiranës zyrtare.
Gazeta e njohur greke “Demokracia”, në një artikull të saj, e cilëson politikën e jashtme greke si të nënshtruar, duke kritikuar mënyrën se si janë trajtuar këto çështje gjatë vizitës.
ARTIKULLI:
Kërkoi heqjen e “gjendjes së luftës”, ndërsa guxoi të ngrejë, qoftë edhe me nënkuptime, çështjen e Çamëve, me Gerapetritin që mbajti heshtje totale
Brenda Ministrisë së Jashtme, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Eliza Spiropali, e cila u takua dje me G. Gerapetritin, me një pafytyrësi provokuese riktheu hapur të dyja çështjet e axhendës greko-shqiptare që “shqetësojnë” Athinën.
• Nik. Stavroulakis
Përpara ministrit grek të Punëve të Jashtme, në deklaratat e përbashkëta pas takimit, ajo kërkoi heqjen e “gjendjes së luftës”, ndërsa guxoi të ngrejë (me nënkuptime) çështjen e të drejtave dhe rregullimit të pronave të Çamëve, pa i përmendur me emër, me ministrin grek të Jashtëm që nuk nxori… asnjë fjalë!
Konkretisht, ministrja shqiptare foli në deklaratat e saj për “aspekte historike, ligjore dhe pronësore, që prekin qytetarë dhe komunitete”, dhe nënkuptimi kishte të bënte qartësisht me të drejtat e supozuara të Çamëve (me shoqatat e të cilëve mban lidhje politike në Shqipëri). Historia është e njohur. Çamët, një “lloj” i urryer edhe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, gjatë marshimit nazist drejt jugut të Ballkanit, në Luftën e Dytë Botërore u identifikuan me pushtuesit gjermanë, i ndihmuan ata në çdo mënyrë, formuan njësi ushtarake SS që u përfshinë në Wehrmacht, ndërsa gjatë katër viteve të pushtimit gjerman masakruan grekët në Epir, duke zbatuar metoda spastrimi etnik. Pas luftës u dëbuan dhe çdo pasuri e tyre u konfiskua përfundimisht. Nuk ekzistojnë më!
Ministrja shqiptare, përballë G. Gerapetritit që bëri sikur nuk dëgjoi, na “tregoi” nevojën për “zgjidhjen e çështjeve të tilla pa diskriminime kombëtare, në kuadër të reformave në kadastrë dhe sigurimet shoqërore”, duke propozuar negociata teknike për një marrëveshje dypalëshe. Me fjalë të tjera, ajo nuk kërkoi vetëm kthimin e pronave, por edhe sigurimet shoqërore.
Ajo ngriti gjithashtu sërish çështjen e heqjes së të ashtuquajturës “gjendje lufte” mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një mbetje të vjetëruar të Luftës së Dytë Botërore që nuk përputhet me marrëdhëniet bashkëkohore të aleancës dhe miqësisë mes dy vendeve.
Kreu i diplomacisë shqiptare, e cila është me origjinë greke, por jo me ndërgjegje greke, e preku çështjen e pronave të Çamëve në mënyrë gjoja të kamufluar, duke deklaruar konkretisht se “aspektet historike, ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe institucioneve shqiptare në Greqi u diskutuan hapur, në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh. Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin përkatës ligjor dhe me frymën evropiane, me synim forcimin e besimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona.” Pra, jo vetëm që e ngriti çështjen në takim, por në deklaratat e saj “e nxori në shesh” edhe G. Gerapetritin se… e “diskuton” atë!
Në Vasilissis Sofias, Eliza Spiropali gjeti terren “të dobët” dhe… nxori gjuhën! Ose, më saktë, nuk e gjeti tani terrenin. E dinte që më parë, pasi, siç zbuloi vetë ministri grek i Jashtëm, “kishin bashkëpunuar edhe më parë, nga pozicione të tjera”, prej nga buron edhe përdorimi i “njëjësit” nga ana e G. Gerapetritit. Shqiptarja bën gjithçka që duhet për ta shijuar situatën.
Por trishtimi nuk buron nga deklaratat e Spiropalit, por nga heshtja e ministrit grek të Jashtëm, i cili nuk lodhet së përsërituri në deklaratat e tij klishe “druri”, pa ngjyrë, si mbështetja greke për rrugën evropiane të Shqipërisë, të cilat mund të mos kenë asnjë lidhje me realitetin, por as nuk ka nevojë që të dëgjohen vetëm këto. U lodhëm…




















