I arrestuari i tretë për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, doli këtë të shtunë, 6 dhjetor para Gjykatës së Elbasanit. Ndaj tij u caktua masa e “arrestit me burg”.

“Sot më datë 06.12.2025 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasn u mbajt seanca për masën e sigurimit për shtetasin N.S me objekt ” Vleftësim ndalimi, caktim mase sigurimi” seanca e masave të sigurimit u zhvillua me dyer të mbyllura, në përfundim të gjykimit gjykata e përbërë nga: Gjyqtar i çështjes z. Elis Dine vendosi: vleftësim të ligjshëm të ndalimit dhe caktim mase “arrest ne burg” për shtetasin N.S“, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ai dyshohet nga prokuroria se është bashkëpunëtor në krimin e rëndë.

Të premten në qeli u lanë ish-ortaku i Mëhallës, Xh. A., i cili akuzohet për vrasje në bashkëpunim, dhe roja i karburantit ku ndodhi ngjarja, K.P, i cili është vënë nën hetim për moskallëzim krimi.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 30 nëntor 2025 në Elbasan. Biznesmeni Edmond Mëhalla u qëllua me armë zjarri sapo doli nga zyra e tij, duke marrë tre plumba që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Viktima ishte pronar i karburantit “Xhaxhi Oil” dhe një rrjeti taksish në qytet.

Sipas hetimeve, deri tani janë vënë në pranga tre persona si të dyshuar për vrasjen, përfshirë edhe ish-ortakun e viktimës. Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dy të tjerë.