Partitë politike në Kosovë, të dielën para mesnatës kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e tyre garuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Nga ajo që është parë, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti e madhe që ka lidhur koalicion me tri parti të tjera të vogla, partinë GUXO, Alternativa dhe PSHDK. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partitë e vogla i kanë marrë në listat e tyre e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA Socialdemokratike do të garojnë si të vetme. Sipas njohësve, këto bashkëpunime janë për matje forcash mes partive kryesore.

“Subjektet politike shkojnë në këto zgjedhje me kalkulimin, në radhë të parë Lëvizja Vetëvendosje që të marrë mbi 50% të trupit elektoral në mënyrë që të jetë në gjendje e vetme të formojë qeverinë. Ndërkohë subjektet tjera kalkulojnë që mund ta zbresin Lëvizjen Vetëvendoje nën 40 deputetë, që të mos kenë telashe në formimin e një qeverie të re dhe sidomos në tejkalimin e sfidës së presidentit”, deklaroi Afrim Kasolli, njohës i marrëdhënieve politike.

Megjithatë, gara e zgjedhjeve të parakohshme pritet të jetë e ashpër dhe konsiderohet se do të jetë e ndikuar nga zhvillimet e vitit të fundit. Prandaj, njohësit thonë se AAK-ja dhe NISMA, posaqërisht kjo e fundit, duke garuar si të vetme, rrezikojnë edhe të kalojnë pragun elektoral prej 5% që është i nevojshëm për përfaqësim në parlament.

“Aleanca i ka shanset më të mëdha të tejkalojë pragun, sepse ka një trup të konsoliduar elektorale… Duke i marr parasysh parametrat aktual duket se veçanërisht për Nismën Socialdemokratike do të jetë sfidë shumë e madhe që si e vetme ta tejkalojë pragun”, shton Kasolli.

Në anën tjetër, NISMA ka deklaruar se nëse e kalon pragun do të arrijnë marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës për të hyrë në listën e tyre. Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të parakohshme, pasi dy herë radhazi, Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, dështoi të formojë qeverinë në mungesë të 61 votave në Kuvend.