Pesëmbëdhjetë vjet pas 21 janarit 2011, një nga ditët më të errëta të shtetit shqiptar, drejtësia vazhdon të jetë vonë. Katër qytetarë të paarmatosur u vranë para Kryeministrisë, në zemër të Tiranës, nën sytë e pushtetit. Sot, pas një dekade e gjysmë heshtjeje, devijimesh dhe dështimesh të qëllimshme, shpresa për zbardhjen e plotë të së vërtetës është ngushtuar në një emër të vetëm: Prokuroria e Posaçme.

Hetimet e nisura nga SPAK, të diktuara jo nga vullneti i shtetit shqiptar, por nga një vendim përfundimtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfaqësojnë ndoshta shansin e fundit që drejtësia të mos mbetet thjesht një fjalë bosh për familjarët e viktimave dhe për shoqërinë shqiptare. Strasburgu ishte i qartë: autoritetet e kohës jo vetëm që dështuan të hetojnë, por ka dyshime serioze se tentuan ta pengonin dhe ta devijonin hetimin.

Në qendër të kësaj dosjeje që rihap plagë të pambyllura, qëndron një provë e re kyçe: një regjistrim audio rreth 34 minuta, ku sipas burimeve, dëgjohen urdhra të drejtpërdrejtë nga zinxhiri komandues i Gardës së Republikës për përdorimin e fishekëve luftarakë ndaj protestuesve. Nëse ekspertiza nga laboratorët e huaj e konfirmon autenticitetin e saj, kjo provë mund të përmbysë versionin zyrtar mbi të cilin u mbajt për vite me radhë një drejtësi e rreme.

Po aq domethënës është edhe fakti se plumbi që i mori jetën Aleks Nikës një i ri që ndodhej larg godinës së qeverisë u dërgua për ekspertizë jashtë vendit vetëm pas më shumë se një dekade. Një vonesë që flet më shumë se çdo deklaratë politike.

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha, nën zyrën e të cilit u vranë katër qytetarë, nuk ka shfaqur as sot minimumin e përgjegjësisë morale. Përkundrazi, edhe kur u mor në pyetje nga SPAK, ai zgjodhi relativizimin cinik: “kur përdoret dhuna, ka edhe vrasje”. Një fjali që tingëllon më shumë si justifikim sesa si reflektim për një tragjedi kombëtare.
Hetimet kanë përfshirë një sërë figurash të larta të shtetit të asaj kohe ish-presidentë, ish-ministra, drejtues policie e garde duke sinjalizuar se SPAK po përpiqet të shkojë përtej zbatuesve dhe të prekë hallkën më të rëndësishme: urdhëruesit. Pikërisht aty ku drejtësia shqiptare dështoi më 2013, kur dënoi vetëm dy drejtues të Gardës për “vrasje nga pakujdesia”, me dënime minimale, duke mbyllur dosjen pa e prekur kurrë përgjegjësinë politike.

Sot, pesëmbëdhjetë vjet më pas, 21 janari nuk është thjesht një datë përkujtimore. Është një test i drejtpërdrejtë për shtetin e së drejtës. Një provë nëse Shqipëria është e aftë të hetojë krimet e pushtetit, apo nëse pushteti do të vazhdojë të mbetet mbi ligjin.

Familjarët e viktimave e kanë thënë qartë, ky është shansi i fundit. Jo për hakmarrje, por për të vërtetën. Jo për politikë, por për drejtësi. Sepse një shtet që nuk ndëshkon vrasjet e qytetarëve të tij, të kryera nga vetë aparati shtetëror, është një shtet që pranon krimin si normë.