Natën e së shtunës, parullat kundër qeverisë mbushën rrugët e kryeqytetit iranian, Teheran, ndërsa protestuesit bënin thirrje për lëvizjen më të madhe kundër republikës islamike të tre viteve të fundit, pavarësisht një represioni të fortë të ushtruar nga autoritetet të cilat kanë bllokuar edhe internetin prej rreth 3 ditësh.

Numri i personave të vrarë gjatë protestave në Iran, ndryshon nga ora në orë sipas raportimeve të Organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat vlerësojnë se mes tyre ka edhe të mitur.

Sipas Human Rights Activists News Agency (HRANA)organizatës, shumica e personave janë vrarë nga municione të vërteta ose nga armë zjarri me plumba gome, kryesisht nga distancë e afërt. Sipas të njëjtit burim, dhjetra viktima dyshohet se janë anëtarë të forcave të armatosura ose të sigurisë, ndërsa njëri prej tyre është prokuror. HRANA ka njoftuar gjithashtu se 2.638 persona janë arrestuar.

Sardar Radan, komandanti i përgjithshëm i policisë kombëtare iraniane, deklaroi mëngjesin e kësaj të diele se “niveli i përplasjes me rebelët është rritur” dhe përshëndeti ato që i quajti “arrestime të rëndësishme”, duke theksuar se “elementët kryesorë të trazirave të mbrëmshme janë arrestuar”.

Grupet për të drejtat e njeriut kishin raportuar tashmë dhjetëra të vdekur dhe të shtunën, shprehën shqetësim për intensifikimin e represionit nga autoritetet, me nurmin e të vrarëve që mund të jetë edhe 550 në total.

Irani ua ka atribuar Shteteve të Bashkuara përgjegjësinë për protestat që shpërthyen dy javë më parë në kryeqytet për shkak të vështirësive ekonomike dhe që më pas janë përhapur në të gjithë vendin me kërkesa për largimin e autoriteteve fetare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të shtunën pasdite se vendi i tij ishte “i gatshëm të ndihmonte” lëvizjen duke nënkuptuar ndoshta një përfshirje ushtarake.

“Irani po sheh lirinë, ndoshta si asnjëherë më parë. SHBA janë gati të ndihmojnë”, shkroi Donald Trump.

Teherani paralajmëroi se “çdo sulm amerikan do ta çonte Teheranin të reagonte kundër Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane” në rajon. Këtë e deklaroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, duke iu drejtuar deputetëve.

Protesta në Iran nisën përpara ndërrimit të viteve si pakënaqësi ndaj gjendjes ekonomike dhe zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Reagimi kombëtar është regjistruar në 100 qytete e rajone në të gjithë vendin dhe po shihet si kundërshtimi më i madh në vite ndaj regjimit që udhëhiqet nga Ajatollah Ali Khamenei.