Një peshk ton gjigant i llojit bluefin është shitur për një shifër marramendëse prej 3.2 milionë dollarësh në ankandin e parë të Vitit të Ri 2026, të mbajtur në tregun e famshëm të peshkut Toyosu në Tokio, duke hyrë në histori si peshku më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë.

Peshku, me peshë 243 kilogramë, u ble për 510 milionë jen japonezë, një rekord absolut që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe dashamirësve të kuzhinës japoneze.

Blerësi i ofertës më të lartë ishte Kiyomura Corp., kompania në pronësi të sipërmarrësit të njohur Kiyoshi Kimura, drejtues i zinxhirit të famshëm të restoranteve Sushi Zanmai. Kimura njihet si një “emër i përhershëm” në këto ankande, duke qenë fitues i disa rekordeve të mëparshme, përfshirë edhe atë të vitit 2019.

“Shpresoja ta merrja me një çmim më të ulët, por çmimi u rrit shumë shpejt”, u shpreh Kimura për mediat japoneze pas ankandit.

Toni rekord u kap pranë brigjeve të Oma-s, në veri të Japonisë – një zonë e njohur për cilësinë e jashtëzakonshme të këtij peshku. Çmimi për kilogram arriti në rreth 2.1 milionë jen, duke reflektuar kërkesën e lartë dhe vlerën simbolike që ka ky ankand, i cili konsiderohet një shenjë fati të mbarë për vitin e ri.

Megjithëse toni bluefin ka qenë për vite me radhë i kërcënuar nga mbipeshkimi dhe ndryshimet klimatike, ekspertët theksojnë se rezervat po tregojnë shenja rimëkëmbjeje, falë masave të rrepta të ruajtjes.
Burimi: The Economic Times