Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve në tubimin e 24 janarit, duke i kujtuar ngjarjet e 8 janarit.
Ai solli në vëmendje njoftimin e Policisë së Shtetit pas asaj ngjarjeje, ku u raportua se 34 persona u arrestuan për dhunë.
“Gjatë muajve janar mirë është të mos përdorni fjalën protestë dhe dhunë se çdo shqiptari i vjen në memorie 8 janari i 2022, ku disa prej jush në këtë sallë luftonin kundër disa prej jush në këtë sallë. Kujtoj më pas njoftimin e Policisë që u arrestuan 34 qytetarë për dhunë, 18 të krahut të Sali Berishës, 16 të Lulzim Bashës.
Krahu i Sali Berishës akuzohej se kishin përdorur varre, shkallë, leva, çekiçë, trapanë. Nga krahu i Lulzim Bashës është përdorur gaz lotsjellës, thuhej në atë njoftim. Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet”, theksoi Balla.




















