Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar takimin e tij të parë zyrtar me kreun e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho.
Gonzato: Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.




















