Gjykata Kushtetuese zhvillon sot një seancë lidhur me ankimin e Kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila në nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca nis në orën 10:00 dhe ka si relator gjyqtarin Sandër Beci.

Në shqyrtim është çështja e kompetencave institucionale mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, konkretisht nëse GJKKO ka të drejtë të vendosë pezullimin e një anëtari të qeverisë. Përveç përfaqësuesve të qeverisë, në seancë marrin pjesë edhe përfaqësues të SPAK, GJKKO, Kuvendit dhe Presidencës.

Balluku është rikthyer përkohësisht në funksionet qeveritare, në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ankimi i qeverisë synon shfuqizimin e masës së pezullimit nga detyra, ndërsa masat e tjera të vendosura ndaj saj nuk janë objekt shqyrtimi.

Nga ana e saj, Gjykata e Posaçme ka argumentuar se masa është vendosur për të garantuar ecurinë e hetimit dhe nuk pengon ushtrimin e mandatit parlamentar.

Sipas informacioneve zyrtare dy përfaqësuesit e SPAK përballë Kryeministrisë do të jetë Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Procesi zhvillohet në një kohë kur SPAK i ka paraqitur Kuvendit kërkesë për autorizimin e arrestimit të Ballukut, e cila pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës së Këshillit të Mandateve më 28 janar.

Balluku është e pandehur në lidhje me procedurën e prokurimit për Tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për disa projekte të tjera infrastrukturore.