Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është lejuar të flasë vetëm një minutë në Strasburg, ndonëse koha e parashikuar për ndërhyrjet e folësve është zakonisht deri në tre minuta. Ndërprerja erdhi pasi Berisha doli nga tema e debatit dhe e zhvendosi fjalën drejt akuzave politike për situatën në Shqipëri.

Berisha e cilësoi situatën në Shqipëri si “krizë zgjedhore”, duke vënë në dyshim lirinë e zgjedhjeve dhe duke i përshkruar ato si “farsë”. Ai akuzoi shtetin-parti dhe narkoshtetin për deformimin e procesit zgjedhor, duke pretenduar se krimi dhe droga kthehen në vota, të cilat më pas shndërrohen në favore politike e ekonomike dhe përdoren për të bllokuar drejtësinë.

Në vijim të fjalës, Berisha përmendi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se ka penguar veprimet e prokurorisë lidhur me masa ndaj zëvendëskryeministres, si edhe duke e përfshirë në akuza që lidhen me çështje të tjera institucionale.

Pikërisht në këtë moment, Presidentja e Asamblesë, i ndërpreu fjalën dhe ia kaloi diskutimin folësit pasardhës, duke vënë në dukje se Berisha kishte dalë nga tema e parashikuar e debatit.

Ndërprerja e fjalës në Strasburg nuk e ka penguar Berishën që ndërhyrjen e tij ta përdorë për konsum të brendshëm politik.

Nuk ishin rastësi pamjet që Berisha transmetonte nga holli i takimit dhe filmohej nga Albana Vokshi, sepse nuk e kishin lënë të fliste në takimin e brenshëm.

Rasti në Strasburg konfirmon edhe një herë përpjekjen e Berishës për të shfrytëzuar forumet ndërkombëtare si platformë politike, edhe kur kjo sjell përplasje me rregullat dhe tematikat e përcaktuara të institucioneve ku ai merr fjalën, ndërkohë nga ana tjetër, iu shitet demokratëve dhe shqiptarëve, si mbështetje ndërkombëtare./TemA