Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezanton në Kuvend, Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Fjala e plotë:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë,
Sot nuk jam këtu thjesht për të paraqitur një akt ratifikimi. Jam këtu për të folur për një moment që, pa asnjë ekzagjerim, ka peshë për mënyrën se si Shqipëria po shihet dhe po dëgjohet në botë.

Pak ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump i ka drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, një ftesë që nuk është e zakonshme. Një ftesë që e pozicionon vendin tonë si Anëtare Themeluese të një mekanizmi të ri ndërkombëtar, të quajtur Bordi i Paqes.
Jo thjesht për të marrë pjesë formalisht.
Jo për të qenë e ftuar simbolike.

Por për të qenë aty që në fillim, në ndërtimin e këtij mekanizmi. Kjo ka rëndësi.

Dhe dua ta them qartë që në fillim. Kjo nuk është çështje partie. Nuk është çështje mazhorance apo opozite. Kjo është çështje e shtetit shqiptar dhe e mënyrës se si ne e kuptojmë veten dhe rolin tonë në botë.

Në këtë sallë kemi dallime politike. Është normale. Ajo që nuk është normale, është ajo që dëgjuam para pak. Por ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë. Dhe ky është një prej tyre. Sot, Shqipëria ka nevojë për diçka shumë të thjeshtë: qetësi, maturi dhe unitet.

Ky është një vendim që do të mbetet në kohë, pavarësisht se kush është sot në qeveri dhe kush në opozitë.

Shqipëria e pranon këtë ftesë jo si privilegj simbolik, por si një zgjedhje të vetëdijshme për të marrë përgjegjësi shtetërore në ndërtimin e paqes.

Bordi i Paqes nuk lind në një kohë normale. Lind në një botë që po ndryshon shpejt dhe shpesh në mënyrë të dhimbshme. Konflikte të vjetra nuk po mbyllen, por po thellohen. Mekanizma që dikur funksiononin sot duken të lodhur. Dhe pikërisht në këtë realitet, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur të provojnë një qasje të re.

Një qasje që nuk mjaftohet me deklarata, por kërkon përgjegjësi reale nga ata që ulen në tryezë.

Ftesa për Shqipërinë tregon diçka shumë konkrete: sot nuk ka rëndësi sa i madh je në hartë, por sa i besueshëm je në sjellje. Sa koherent je në aleanca. Sa i qëndrueshëm je në zgjedhje.

Shqipëria, me të gjitha vështirësitë e saj, e ka ndërtuar këtë besueshmëri. Ajo nuk ka ardhur vetvetiu. Ka ardhur nga një orientim i qartë dhe i pandryshuar: partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky partneritet nuk është slogan. Është histori konkrete. Është NATO. Është angazhim. Është prani aty ku është dashur, edhe kur nuk ka qenë e lehtë.

Politika e jashtme shqiptare ka pasur vazhdimësi. Dhe kjo vazhdimësi është arsyeja pse sot Shqipëria gëzon besim. Prandaj kjo ftesë nuk është surprizë. Por as nuk duhet marrë si e mirëqenë.

Dua ta them këtë edhe me një qartësi tjetër dhe pa asnjë dyshim.

Kjo besueshmëri nuk është abstrakte. Ajo lidhet me një drejtim të qëndrueshëm politik që Shqipëria ka pasur në këto vite dhe me mënyrën se si Kryeministri i vendit, Edi Rama, e ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Me guximin për të ndërtuar aleanca aty ku të tjerët shihnin vetëm kufij. Me aftësinë për të krijuar besim aty ku të tjerët shihnin vetëm formalitete diplomatike. Dhe me vendosmërinë për ta mbajtur Shqipërinë gjithmonë në anën e duhur të historisë.

Për vite me radhë, në këtë sallë është thënë se Shqipëria nuk ka akses, se Shqipëria nuk pyetet, se Kryeministri nuk ka peshë, se Shqipëria nuk dëgjohet. Ftesa që kemi sot përpara është përgjigjja më e qartë ndaj këtij perceptimi.
Sepse vendet e vogla nuk bëhen të rëndësishme nga madhësia e tyre në hartë, por nga besimi që krijojnë. Dhe ky besim është ndërtuar me autenticitet, me punë, me qëndrueshmëri dhe me një diplomaci që ka ditur të jetë e pranishme aty ku duhej.
Sot Shqipëria ka marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe të besueshme jo vetëm me partnerët tanë tradicionalë në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet kyçe të rajonit, me Lindjen e Mesme, në Izrael dhe me botën arabe, në një nivel që vendi ynë nuk e ka njohur kurrë më parë në historinë e tij diplomatike.
Kjo është arsyeja pse sot Shqipëria nuk është thjesht pjesëmarrëse, por ftohet si Anëtare Themeluese.

Dhe në fund, le të bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë dhe shumë të ndershme: çfarë mund të bëjë më shumë një Kryeministër për vendin e tij në arenën ndërkombëtare, sesa ta çojë atë në këtë nivel besimi, ta vendosë në hartën politike të botës, ta bëjë të pranishëm në art, në arkitekturë, në kulturë, në librat dhe projektet e arkitektëve më të njohur të globit, dhe ta bëjë Shqipërinë të shihet e dëgjohet aty ku dikur vetëm përmendej si një periferi e periferisë?!

Dhe në çdo hap të kësaj rruge, Kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete, me mendim të qartë, me adresë të përhershme diplomatike dhe me përkrahje të pakursyer në çdo tryezë ndërkombëtare ku është folur për fatin e saj.
Dua të ndalem qartë edhe te një pyetje që është ngritur në publik: pse Shqipëria e pranon Bordin e Paqes dhe a nënkupton kjo largim nga Bashkimi Europian.
Përgjigjja është e thjeshtë dhe e prerë: jo.
Shqipëria nuk po zgjedh midis aleancave. Shqipëria po vepron brenda orientimit të saj strategjik të pandryshuar.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet vokacioni ynë historik e kombëtar, objektivi ynë kryesor politik, institucional dhe shoqëror. Ai nuk negociohet dhe nuk zëvendësohet nga asnjë mekanizëm tjetër.
Por duhet ta themi me ndershmëri: Bashkimi Europian është destinacioni ynë i brendshëm, ndërsa politika jonë e jashtme është ndërtuar mbi marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe mbi përgjegjësinë tonë në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.
Bordi i Paqes nuk është alternativë ndaj Bashkimit Europian, dhe nuk është strukturë integrimi. As nuk është alternativë ndaj multilateralizmit tek i cili besojmë. Është një mekanizëm ndërkombëtar për ndërtimin dhe menaxhimin e paqes në një botë që po ndryshon. Shqipëria nuk hyn në të për të zëvendësuar asgjë, por për të kontribuar aty ku ka besim dhe përgjegjësi.
Këto dy rrugë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato e forcojnë njëra-tjetrën.
Një Shqipëri aktive në ndërtimin e paqes globale është një Shqipëri më e besueshme edhe për Bashkimin Europian. Një Shqipëri që merr përgjegjësi ndërkombëtare është një Shqipëri që tregon se është gati për tavolina më të mëdha vendimmarrjeje.
Ne nuk po largohemi nga Europa. Po sillemi si një vend evropian që kupton realitetin e ri të botës dhe merr përgjegjësi në të.

Dua të ndalem edhe te një element tjetër që e bën këtë zhvillim edhe më domethënës.
Republika e Kosovës ka marrë dhe ka pranuar dje ftesën për t’iu bashkuar e kësaj nisme.
Kjo nuk është rastësi.
Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane, me rrugë të ndryshme, por me të njëjtin orientim strategjik. Nuk konkurrojnë mes t…