Klodian Braho zhvilloi mbledhjen e parë si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke marrë pjesë të gjithë trupën e prokurorëve.

Në fjalën e tij, Braho shprehu objektivat e tij për drejtimin e institucionit dhe theksoi rëndësinë e angazhimit të prokurorëve në dhënien e mendimeve për Kodin e ri Penal, siç kërkohet nga Ministria e Drejtësisë. Ai gjithashtu kërkoi mendime mbi marrëdhëniet që SPAK duhet të ketë me Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Kreu i ri i SPAK theksoi gjithashtu rëndësinë e mbarëvajtjes së proceseve hetimore dhe respektimin e afateve ligjore.

Mbledhja, e cila zgjati rreth 20 minuta, u zhvillua me praninë e të gjithë prokurorëve të SPAK.