Do të duhej të ishte një ceremoni simbolike të hapjes së vitit të ri gjyqësor, por në Gjykatën e Lartë u thanë disa kritika të forta për drejtësinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Për kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi drejtësia mbështetet në tre shtylla, e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin, teksa riktheksoi se cilësia dhe qartësia e argumentimit të vendimeve duhet maksimale.
“Kur arsyetimi është i qartë, qytetari e kupton drejtësinë edhe kur nuk është dakord me të. Kur është i paqartë, atëherë humbet jo vetëm çështja, por edhe besimi. Së dyti koha e arsyeshme, drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi”, tha Sadushi.
Mesazhin ndaj pushteteve të tjera Sadushi ia dha të qartë dhe të drejtpërdrejtë.
“Mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar. Për ta bërë këtë mbështetje reale, nevojiten financim i mjaftueshëm. Refuzoni intimidimin”, u shpreh ai.
Kritika të forta ndaj sistemit kishte vetë ministri i Drejtësisë Lamallari. Rezervat e ekzekutivit ndaj gjyqësorit i shprehu pa ‘dorashka’.
“Ruajtja e pavarësisë së drejtësisë është një luftë e vazhdueshme, por kjo pavarësi nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie. Pavarësia e drejtësisë nuk mund të përdoret për mosveprim, për zvarritje apo mungesë përgjegjshmërie. Pavarësia nuk mund të kuptohet e shkëputur nga llogaridhënia. Moszbardhja edhe pas një vitit e vendimeve është e papranueshme. Në shumë segmente, veçanërisht në Gjykatat e Apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura është alarmant”, tha ministri.
Reflektim kërkoi për masat e sigurisë dhe dënimet, që janë shumë herë më të rënda se Bashkimi Europian.
“Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Evropë. Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi gërryen besimin e qytetarëve te drejtësia. Të ndryshojmë kulturën ndëshkuese”, tha Lamallari.
I pranishëm në ceremoni, kreu i shtetit Bajram Begaj, thirrjen e bëri për bashkëpunim ndërinstitucional.
“Në institucionet e së drejtës nuk ka vend për tranzicion. E drejta nuk negociohet. Dhënia e drejtësisë është sa përgjegjësi dhe profesionalizëm, aq edhe akt i lartë shtetarie. Vetëm duke dhënë drejtësi, duke fituar besim te qytetarët, duke garantuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe forcuar institucionet do të kemi progres të qëndrueshëm edhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Begaj.
Ceremonia e hapjes së vitit të ri gjyqësor zhvillohet për herë të parë, teksa synohet themelim i një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi.




















