Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot se gjatë vitit 2025 bashkive u janë alokuar rreth 4 milionë euro në kuadër të grantit të perfomancës.
Gjatë një konference për shtyp, Demo tha se granti i performancës u nda për herë të parë në nivel vendor gjatë vitit të kaluar.
“Granti i performancës ka qenë i financuar 50% nga partnerët tanë, nga donatorët si ambasada zvicerane dhe po ashtu edhe nga buxheti i shtetit. Janë rreth 4 milionë euro që i janë alokuar bashkive në matjen e treguesve të qartë, përgjithësisht rregullativ për sa i përket funksionimit të tyre”, tha Demo.
Demo theksoi se në vitin 2026 do të thellohet koncepti i grantit të performancës.
“Besojmë se bashkitë që performojnë më mirë, bashkitë që kërkojnë shërbime më të mira për qytetarët, patjetër duhet të kenë mundësinë që të financohen. Ndaj granti i performancës do të kthehet në një instrument motivues për vetë bashkitë për të ofruar shërbime më të mira për vetë qytetarët. Ky do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për grantin e performancës pasi do të kalojmë në matje specifike të shërbimeve që ofrohen në territor”, shtoi Demo.




















