Rreth 5 mijë aplikantë kanë shprehur interes për Paketën e Maleve.

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, njoftoi se paketa për vitin 2026 do të sjellë risi dhe zhvillim të agroturizmit. Deri më tani, tetë bashki kanë përfunduar hartën prioritare të investimeve në turizëm.

Ministri Demo, në një intervistë për RTSH, theksoi se kjo paketë për vitin 2026 do të sjellë risi të rëndësishme.

Ai theksoi se kjo nismë synon të hapë hapësira të reja për banorët e këtyre zonave dhe të zgjidhë problematikat e pronësisë, të cilat prej kohësh janë kthyer në një barrë për qytetarët dhe sipërmarrësit e rinj.

Demo deklaroi se fokusi kryesor i paketës do të jetë zhvillimi i agroturizmit në të gjithë hartën e Shqipërisë.

Ai e konsideroi këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për të investuar në bujtina, hotele të vogla dhe projekte që lidhin turizmin me bukuritë natyrore, territorin dhe bujqësinë.

“Para së gjithash duhet të kuptojmë se Paketa e Maleve është një iniciativë që në thelbin e saj ka nxitjen e investimeve në zonat që kërkojnë një ritëm të ri zhvillimi ekonomik, hapësira të reja për banorët e këtyre zonave, si dhe zgjidhjen e problemeve të pronësisë. Ky problem është kthyer në një barrë për qytetarët dhe sipërmarrësit e rinj, duke i penguar ata të realizojnë ëndrrën e tyre në territorin ku kanë lindur dhe ku duan të ndërtojnë të ardhmen.”

Sipas tij, fokusi kryesor do të jetë zhvillimi i agroturizmit në të gjithë hartën e Shqipërisë.

“Jam besimplotë se Paketa e Maleve, duke marrë në konsideratë zgjidhjen e disa problemeve të pronësisë, si dhe përjashtimin nga detyrimet për një periudhë dhjetëvjeçare, është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata që e shohin si një mundësi reale për të investuar në zona me potencial të jashtëzakonshëm. Nëse i referohemi vetëm një prej mundësive që kjo paketë ofron, janë bujtinat, hotelet e vogla dhe projektet që lidhin turizmin me bukuritë natyrore, territorin dhe bujqësinë.”

Paketa synon të nxisë investimet në zonat malore dhe rurale, u shpreh ministri Demo.

“Për vitin 2026 kjo paketë do të jetë një risi e jashtëzakonshme. Tashmë jemi në fazën ku pjesa më e madhe e bashkive në vend kanë shpallur interesin dhe një pjesë e mirë e tyre kanë përfunduar përcaktimin e zonave prioritare. Deri më tani janë tetë bashki që kanë përfunduar hartën prioritare të investimeve, të miratuara edhe me vendim të Këshillit të Ministrave. Shumë shpejt pritet miratimi i zonave të tjera prioritare. Në portalin E-Albania është hapur aplikimi për të gjithë të interesuarit, ku shfaqen qartë zonat e shpallura dhe miratuara nga bashkitë. Ministri Demo shtoi se në tremujorin e parë të vitit 2026 priten “dallëndyshet e para” të kësaj pakete.”

Duke folur për interesin e treguar nga aplikantët, ai theksoi se “Kanë qenë rreth 5 mijë aplikantë që kanë shprehur interesin për të investuar. Paketa e Maleve po bëhet çdo ditë e më e qartë për banorët, sepse nuk bëhet fjalë për tjetërsim pronash apo pronat private, por për një nismë transparente që përcakton qartë kategoritë përfituese. Këto janë banorët që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vjet, e cila është tokë shtet, si dhe pronat që njihen nga komuniteti pa kontestime.”

Gjithashtu ministri shpjegoi se çdo aplikim do të jetë publik për 45 ditë dhe çdo ankimim do të pezullojë automatikisht vendimmarrjen.