Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar këtë të martë një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke akuzuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, çështja lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emër të Erion Veliajt, sikur ai të ishte njoftuar personalisht për një vendim gjyqësor.
Veliaj pretendon se nënshkrimi në këtë dokument nuk është firma e tij dhe se ai nuk ka marrë kurrë dijeni zyrtare për vendimin përkatës. Sipas verifikimeve zyrtare të përfshira në kallëzim, vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, ku Veliaj ndodhet aktualisht i paraburgosur.
Ky fakt, thuhet në kallëzim, është konfirmuar zyrtarisht edhe me shkresë nga vetë I.E.V.P. Durrës, duke përforcuar pretendimin se njoftimi gjyqësor nuk është kryer në mënyrë ligjore.
Në dokumentin drejtuar Prokurorisë, theksohet se mungesa absolute e një njoftimi real, e shoqëruar me ekzistencën e një dëftese që përmban një nënshkrim jo autentik, përbën provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit procedural. Sipas kallëzimit, ky veprim dyshohet se është kryer me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.
Veliaj argumenton se një veprim i tillë cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar në mënyrë të qëllimshme humbjen e së drejtës për rekurs përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.
Në kallëzimin penal kërkohet:
• regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal,
• kryerja e një ekspertimi grafik të nënshkrimit të kontestuar,
• hetimi i plotë i zinxhirit të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur dokumentin,
• si dhe verifikimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë edhe shpërdorimin e detyrës.
Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar gjithashtu Gjykatës së Lartë, me qëllim informimin se, sipas pretendimeve të Veliajt, afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm dhe të rregullt.




















