Mero Baze
Nuk di pse opozita i ka hyrë një debati të lodhshëm, më i lodhshëm se i Madurës, për të injoruar rëndësinë e Bordit të Paqes që po themelohet me iniciativë të Presidentit Trump dhe mbi të gjitha sqarimet e tyre të lodhshme për Presidentin Trump për veset e Edi Ramës.
Fjala vjen, përfaqësues të PD thonë që ftesa u ka shkuar 200 vetëve ose gjithë anëtarëve të OKB-së dhe pastaj vazhdojnë me detyrimet që do të ketë Shqipëria, për t’u thënë qytetarëve shqiptarë që kjo është e rrezikshme.

Problemi i parë serioz për opozitën është se ftesa për Edi Ramën ka ardhur për të gjitha ato arsye që opozita mendon se Edi Rama është i papëlqyer nga Perëndimi dhe SHBA, dhe sidomos nga Presidenti Trump. Edi Rama ka marrë ftesë pikërisht për ato që opozita i quan “vese” të tij.

E vërteta është se ftesa nuk lidhet as me faktin që jemi anëtarë të OKB-së, as që jemi anëtarë të NATO-s, as me “rëndësinë gjeopolitike” të Shqipërisë. Po të ishte ashtu, do ishin ftuar dhe shtete të tjera nga Ballkani që janë anëtare të OKB-së apo NATO-s.

E vetmja gjë simbolike që vlen për Shqipërinë është se Edi Rama vjen nga një shtet që simbolikisht është vend mysliman dhe pro Izraelit, duke qenë njëkohësisht dhe shtet evropian.

Ftesa nuk është aq e thjeshtë sa duket dhe nuk lidhet aq shumë me Shqipërinë, sa me kryeministrin dhe fuqinë personale dhe politike të tij. Po të kemi parasysh dhe vetë profilin e Presidentit Trump dhe konvencionet e tij në krijimin e këtyre iniciativave, Edi Ramën e favorizon më shumë fakti që është një lider i fortë politikisht, pa presione parlamentare, pa kosto politike nga pjesëmarrja në këtë iniciativë dhe pa burokraci shtetërore nëse i duhet të veprojë.

Praktikisht Edi Rama është i përshtatshëm për anëtar themelues për të gjitha ato arsye që opozita ankohet se Edi Rama i ka si mangësi në raport me SHBA-në. Në fakt, Presidenti Trump ia ka vlerësuar këto si përparësi.

E kundërta do të ketë rëndësi. Pjesëmarrja e Edi Ramës në këtë tryezë do të rrisë vëmendjen e Uashingtonit për Shqipërinë dhe do të forcojë politikën amerikane rreth Shqipërisë si një vend aleat.
Shqipëria praktikisht nuk do të ketë asnjë kosto financiare ose ushtarake, nuk do të ketë angazhime ushtarake në Gaza dhe as financime.

E vetmja gjë që ne do t’i shesim Bordit të Paqes është Edi Rama dhe këtë me një pazar të mirë, që nëse del çdo gjë me sukses quhemi të fituar, nëse nuk funksionon, nuk jemi ne të humburit.

E vërteta është se Shqipëria në këtë histori ka vetëm një rol simbolik, ndërsa kryeministri i saj ka një rol personal, si një politikan i drejtpërdrejtë, përtej gjuhës teknokrate, si një negociator i besueshëm dhe një aktor konfidencial me shumë udhëheqës botërorë të kësaj kohe.

Ai nuk është aty për atë që Shqipëria do të bëjë për Gazën, por për ato çka Shqipëria ka bërë deri më sot në raport me SHBA-në dhe politikën evropiane, si një vend pa risqe dhe aleat i sigurt.

Ndaj opozita është e lirë të përçmojë Edi Ramën si një autokrat i plotpushtetshëm dhe aleat i Trumpit, por nuk duhet të na lodhë shumë veshët me “protrumpizimin” e saj, pasi ajo që ka në mendje opozita dhe ajo që ka në mendje Trumpi janë një oqean larg njëra-tjetrës dhe një karrige larg Edi Ramës në një tryezë.