Kalimet e parregullta kufitare në BE kanë shënuar rënie në 2025-sën. Agjencia Europiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, raportoi gati 178,000 përpjekje për kalim kufiri në bllokun europian, shifra më e ulët që nga viti 2021.
Shumica e personave që Frontex identifikoi gjatë kalimeve të parregullta kufitare ishin qytetarë nga Afganistani, Egjipti dhe Bangladeshi, sipas raportit të fundit, i cili nënvizoin megjithatë se situata në kufijtë e jashtëm të BE-së mbetet e pasigurt
“Trendi po lëviz në drejtimin e duhur, por rreziqet ekzistojnë. Presioni i emigracionit mund të ndryshojë me shpejtësi – i ndikuar nga konfliktet, paqëndrueshmëria politike dhe rrjetet e kontrabandës. Vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë të agjencisë sonë me qeveritë dhe partnerët në vendet jashtë BE-së, që ka dhënë rezultate të mira”, u shpreh Drejtori i Frontex, Hans Leijtens.
Komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, e vlerësoi rënien e ndjeshme si “rezultat i forcimit të kufijve të jashtëm dhe partneriteteve efektive ndërkombëtare”. Diplomacia e emigracionit e BE-së po funksionon, deklaroi politikani austriak. “Shifrat nënkuptojnë se më pak njerëz po kontrabandohen, më pak njerëz po vuajnë nga abuzimi dhe më pak jetë janë në rrezik.” Sipas Frontex, numri i migrantëve që përpiqen të hyjnë në BE nëpërmjet rrugës së Afrikës Perëndimore (karënie prej 63 përqind), rrugës së Ballkanit Perëndimor (rënie prej 42 përqind) dhe kufijve tokësorë lindorë të BE-së me Bjellorusinë (rënie prej 37 përqind) ra ndjeshëm në vitin 2025.
Agjencia kufitare ia atribuon numrin dukshëm më të ulët të njerëzve që përpiqen të hyjnë në BE nëpërmjet rrugës së Ballkanit Perëndimor masave të përmirësuara të sigurisë dhe bashkëpunimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Rruga më e përdorur e migracionit drejt BE-së mbetet rajoni qendror i Mesdheut, prej nga ka kaluar pothuajse një e treta e të gjitha hyrjeve të parregullta kufitare në vitin 2025.




















