Qëndrimi që do të mbajë Parlamenti, pra mazhoranca që i ka votat për të vendosur, do të jetë një vendim me shumë rëndësi për të kuptuar nëse kjo mazhorancë dhe ata që e ideuan dhe e formësuan drejtësinë e re do të vazhdojnë ta mbështesin SPAK-un në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ish-prokurori Eugen Beci e konsideron këtë vendim si vijë të kuqe për “baballarët e reformës në drejtësi”, për të kuptuar se sa seriozë janë ata në këtë betejë të SPAK-ut për luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, si dhe kundër krimit të organizuar.
Këtë të mërkurë Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ballukut, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese pritet të publikojë vendimin e marrë për ankesën e kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kërkesën e SPAK-ut për pezullimin e Ballukut nga detyra. Beci thotë se dy çështjet janë të ndara, ndërkohë që Kushtetuesja rrezikon të kthehet në një gjykatë të thjeshtë apeli në shqyrtimin e çështjes Balluku.
Beci flet për një aleancë të dy anëve të politikës në luftën kundër SPAK-ut dhe, njëkohësisht, thekson se SPAK ka rezultate pozitive, pavarësisht se është i sulmuar në mënyrë të baraspeshuar nga të dyja palët e politikës. Kjo, sepse të dyja palët e politikës kanë tashmë dosje në SPAK në nivelet më të larta të përfaqësimit të tyre, qoftë mazhoranca, qoftë opozita.
Beci flet edhe për ngjarjen e 21 Janarit dhe të rejat rreth kësaj çështjeje që lidhen me audiopërgjimin e paraqitur në SPAK nga gazetari Artan Hoxha. Ish-prokurori ndalet te vështirësitë dhe sfidat e hetimit të kësaj ngjarjeje, duke theksuar edhe rolin e politikës, e cila, sipas tij, vetëm ka përfituar nga kjo ngjarje dhe nuk ka qenë e interesuar që ajo të zbardhet.
/TEMA




















