Situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut ka vënë në lëvizje Forcat e Armatosura, të cilat prej orëve të para janë angazhuar në disa qarqe të vendit për të ndihmuar qytetarët e prekur nga përmbytjet.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë dislokuar në qarqet Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, ku janë raportuar problematika të shumta në infrastrukturë dhe banesa.
Durrësi mbetet një nga zonat më të prekura, ku në terren janë angazhuar 62 efektivë të mbështetur nga 18 mjete, përfshirë motopompa dhe mjete lundruese për përballimin e situatës.
Ndërkohë, në Gjirokastër, 34 efektivë po punojnë për normalizimin e gjendjes, veçanërisht në lagjen “Granicë”, ku është ndërhyrë me mjete të posaçme për largimin e ujit.
Në fshatin Obot të Shkodrës, forcat ushtarake kanë ndërhyrë me mjete dhe varkë për t’u ardhur në ndihmë banorëve, ndërsa në Kurbin është kryer një operacion për pastrimin e rrugëve nga dherat dhe mbetjet e sjella nga reshjet.
Forcat e Armatosura bëjnë me dije se operacionet do të vijojnë në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile, deri në përmirësimin e plotë të situatës.




















