Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme hedh dritë mbi mënyrën se si janë deklaruar, transferuar dhe shkëmbyer pasuritë e paluajtshme të lidhura me familjen e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke vënë në fokus rolin e fëmijëve dhe bashkëshortes në këto transaksione. Dokumentet e referuara nga SPAK përshkruajnë një zinxhir veprimesh që nisin në fillim të viteve ’90 dhe kulmojnë me shkëmbime e shitje pronash në vitin 2007.
Sipas materialit hetimor, pas zgjedhjes së Sali Berishës President i Republikës në vitin 1992 dhe gjatë qëndrimit të tij në pushtet deri në vitin 1997, konstatohet nisja e investimeve në pasuri të paluajtshme nga familjarët Malltezi.
Deklarimet e pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI tregojnë se shtetësja Argita Malltezi ka evidentuar për vitin 1993 pronësinë e një apartamenti banimi prej 77 m² në rrugën Prokop Myzeqari, të përfituar nga privatizimi, ku zotëronte 1/3 e pjesës. Paralelisht, edhe Sali Berisha ka deklaruar një apartament 3+1 të privatizuar, me të drejta reale të ndara mes tij, bashkëshortes dhe djalit. Sipas hetimit, të dyja deklarimet i referohen së njëjtës pasuri, pavarësisht diferencave në përshkrim.
Në vijim, kjo pasuri kalon tërësisht në pronësi të Argita Malltezit, kundrejt shlyerjes së një huaje që pretendohet se i është dhënë nga i ati, Sali Berisha. Më pas, në vitin 2007, Berisha përfiton një tjetër pasuri, të blerë nga Jamarbër dhe Argita Malltezi, e ndodhur në rrugën Mustafa Matohiti.
Materiali detajon se më 16 korrik 2007, Sali dhe Liri Berisha përfitojnë, përmes një kontrate shkëmbimi, dy pasuri (apartament dhe garazh) në rrugën Mustafa Matohiti, të cilat më parë ishin në pronësi të Malltezëve. Po në këtë datë, për banesën në rrugën Prokop Myzeqari evidentohet kryerja e pagesës nga blerësit Vorpsi.
Kontrata e shitjes lidhet më 17 korrik 2007 mes shitëses Argita Malltezi, me pëlqimin e Jamarbër Malltezit, dhe blerësve Kujtim dhe Valdete Vorpsi, për apartamentin në Tiranë (rruga Prokop Myzeqari), me sipërfaqe 76 m², kundrejt shumës 70 mijë euro. Hetimi referon gjithashtu informacion bankar nga Raiffeisen, sipas të cilit rezulton një pagesë prej 70 mijë eurosh e kryer më 16 korrik 2007 nga Kujtim Vorpsi, e pasqyruar më pas edhe në deklarimin e pasurisë së Argita Malltezit në vitin 2008.
Dosja e SPAK i rendit këto veprime si pjesë të një skeme transferimesh dhe përfitimesh pasurore, që sipas prokurorisë kërkon verifikim të thelluar për burimin e ligjshëm të të ardhurave dhe përputhshmërinë e deklarimeve ndër vite./TemA





















