Hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare u rritën në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 2025.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vuri sot në dukje se krahasuar me vitin 2024, plazhet publike janë rritur me 17,4%, duke shtuar mbi 1,1 milionë m² sipërfaqe të aksesueshme për qytetarët.
“Numri i parcelave publike ka kaluar nga 523 në 1014, ose 94% më shumë në sezonin turistik 2025, një tregues i qartë i orientimit drejt një turizmi më gjithëpërfshirës dhe të balancuar”, tha Gonxhja.
Me rregulloren e re të menaxhimit të stacioneve të plazhit gjatë vitit që lamë pas u riorganizuan hapësirat e plazheve me prioritet ato publike.
Kjo rregullore bazohet në parimin kryesor se shezlonget në vetvete nuk mund të jenë model parësor biznesi, por duhen trajtuar vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese. Në çdo një kilometër plazh gjatë vitit 2025 kishte 300 metra plazh publik.
Rregullorja përmbante gjithashtu një përcaktim të saktë të zonave ku ushtronin veprimtarinë e tyre subjektet të cilat përmbushnin kushtet ligjore si stacion plazhi, hapësirat për plazhe publike, hapësirat ujore të lejuara për notim, vendqëndrimet për mjetet lundruese dhe korridoret e lëvizjes së tyre.




















