Personalisht mendoj që arritjet e saj në fushën akademike dhe intelektuale bashkë me dy librat e botuar vitet e fundit i bëjnë nder jo vetëm asaj, por të gjithë shqiptarëve.

Përfolja e emrit të Lea Ypit si kryeministre e një qeverie teknike, e cila me shumë gjasë është një fake news, përsëri është një lajm i bukur.

Nga intervistat e saj kam krijuar përshtypjen e një njeriu modest dhe shumë inteligjent. Për Lean ka rrespekt maksimal. Por kur vjen puna te qëndrimi që mban kur pyetet lidhur me stërgjyshin e saj, Xhafer Ypin do të ishte mirë të tregohej më e qartë.

Përveç kontributit të tij në ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar dhe drejtimin e vendit, nuk duhet anashkaluar edhe fakti se:

Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, Xhafer Ypi u vendos në krye të Komitetit të Administrimit të Përkohshëm (9-12 prill 1939). Më 10 prill i dërgoi një mesazh Mussolinit, duke rikonfirmuar besnikërinë e popullit shqiptar ndaj tij. Në të njëjtën ditë, ai transmetoi një fjalim në të cilin theksoi paaftësinë e shqiptarëve për të qeverisur dhe i bëri thirrje Duçes që ta shpëtonte Shqipërinë.

Urdhëri i parë i Xhafer Ypit në këtë funksion, drejtuar të gjitha prefekturave ishte lirimi i të gjithë komunistëve nga burgjet. Kjo shpjegohej me aleancën e nëndheshme që Italia dhe shërbimi i saj sekret kishte me disa prej tyre, të cilët kishte tentuar për t’i përdorur për krijimin e një lëvizje antikushtetuese. Një gjë e tillë do t’i jepte preteks Italisë, që në bazë të traktateve të nënshkruara me Shqipërinë, të ndërhynte për “të vendosur rendin kushtetues”.

Për mua, Xhafer Ypi dhe ata që i dorëzuan kurorën e Skënderbeut mbretit të Italisë kanë kryer akt tradhëtie. Pavarësisht kontributit që ata kanë dhënë për krijimin e shtetit shtqiptar.