Në ceremoninë zyrtare përkujtimore të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit sot në 27 janar, ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë historike dhe morale të rolit të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe angazhimin e vendit për paqe dhe respekt universal.
Spiropali nënvizoi se shqiptarët i qëndruan kodit të besës, duke kujtuar normën e fortë kulturore, që i shtynë paraardhësit tanë të mbronin hebrenjtë nga nazizmi. Ajo theksoi se ky kod moral ishte një nga shtyllat e mbrojtjes së mijëra hebrenjve gjatë Holokaustit dhe tregoi guximin e shqiptarëve që shpëtuan edhe gra shtatzëna, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre.
Ajo gjithashtu përmendi rëndësinë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, duke kujtuar se fetë kanë bashkëjetuar gjithmonë në vendin tonë. “Kjo është një nga arsyet përse Shqipëria është pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë ndërkombëtare që promovon dialogun dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke vendosur vendin në anën e duhur të historisë”, u shpreh Spiropali.
Ministrja gjithashtu foli për nevojën e kujtesës historike, si mjet për të parandaluar format moderne të urrejtjes, antisemitizmit dhe diskriminimit. “Ne duhet të reflektojmë jo vetëm mbi të shkuarën, por mbi përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një të ardhme më humane, kudo ku lufta dhe urrejtja po shkatërrojnë jetë njerëzish”.
Aktiviteti i përkujtimit përfshinte edhe simbolikën e mbjelljes së ullinjve, simbol i paqes dhe shpresës për një botë ku të drejtat e njeriut respektohen pa kompromis. Spiropali theksoi se ky simbol duhet të na shoqërojë në çdo hap drejt pajtimit ndërkombëtar dhe bashkëjetesës.
Spiropali nënvizoi se Shqipëria ka treguar botës se di të promovojë paqen dhe se përkushtimi ndaj vlerave universale dhe humanizmit nuk është vetëm pjesë e historisë së vendit, por edhe udhërrëfyes për rolin që vendi ynë synon të luajë në arenën ndërkombëtare në dekadat që vijnë.




















