Analisti i Atlantic Council dhe ish-zyrtari i inteligjencës ushtarake izraelite shpjegon pse regjimi iranian duket i stabilizuar, pse nuk ka të ngjarë të rrëzohet si Siria dhe çfarë mund të ndryshojë situatën, duke përfshirë një rol të mundshëm të Shteteve të Bashkuara.

A është regjimi iranian në fundin e vet?

Do bëja dy parathënie. Së pari, është shumë e vështirë të dihet çfarë po ndodh realisht në Iran, edhe para bllokimit të internetit. Së dyti, rëniet e regjimeve janë të vështira për t’u parashikuar. Megjithatë, për sa kohë diktatura ruan kohezionin, pa ndarje apo çarje në udhëheqje, dhe për aq kohë sa protestuesit nuk kanë një udhëheqës të qartë, mund të mbijetojë regjimi edhe nga këto protesta.

Si mund të shkojë përpara situata?

Regjimi nuk mund t’i plotësojë kërkesat ekonomike të popullsisë, por është mjaft stabël për momentin. Irani nuk është si Siria. Për të ndodhur një ndryshim i vërtetë, duhet të shohim diçka dramatike, ose një çarje të brendshme, ose një përfshirje të vërtetë të SHBA-ve. Pa këtë, ayatollahët do të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer protestat, edhe nëse është sfida më e madhe që nga viti 1979.

Nga buron ky stabilitet?
Së pari, nga Gardistët e Revolucionit (IRGC), që janë shumë të fuqishëm, rreth 300–500 mijë veta, kompetentë. Pastaj, rreth 13 milionë iranianë (më pak se 20% e popullsisë) mbështesin regjimin. Dhe jo të gjithë opozitarët janë të gatshëm të rrezikojnë gjithçka, disa duan ndryshim, por kanë frikë nga boshllëku dhe pasojat.

Çfarë ndodh nëse protestat vazhdojnë?

Nëse protestuesit qëndrojnë dhe rritin prezencën në rrugë duke krijuar çarje në teokraci, mund të shohim një ndryshim në drejtim nga ayatollahët. Por kjo nuk do të thotë menjëherë fundi i regjimit.
Çfarë ndryshimi i madh i brendshëm mund të ndodhë?

IRGC mund të marrë pushtetin dhe të largojë presidentin Masoud Pezeshkian. Në një skenar ekstrem, mund të hiqet Khamenei dhe të vendoset një udhëheqës i ri suprem. Ose mund të ndodhë një kthesë e jashtme politike, ku Irani të negociojë seriozisht me SHBA-të.

A janë këto protesta të ngjashme me ato që rrëzuan shahun në 1979?

Shahu u largua pas një viti protestash. Unë mendoj se Khamenei nuk do të ikë si Bashar al-Assad në Siri. Ai e sheh veten jo vetëm si mbrojtës të Iranit, por më shumë se kaq.
A ka nevojë lëvizja për Trump që të ketë më shumë shanse?

Duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë SHBA-të mund dhe duan të bëjnë. Ashtu si në Venezuelë, presidenti amerikan shpesh ka punuar me regjimin në vend të opozitës. Për këtë, nuk mendoj se SHBA-të po investojnë realisht te Reza Pahlavi. Trump dëshiron të jetë ndryshe nga Obama dhe Biden.

A është Pahlavi një hipotezë realiste?

Mendoj se shumica e iranianëve nuk duan sërish një Pahlavi. Ai po përfiton nga mungesa e udhëheqjes në opozitë, por aftësia e tij për të ndikuar është e kufizuar. Izraeli po përpiqet ta mbështesë, por duket një kauzë e humbur.

Çfarë zhvillimesh priten?
Nëse do të kishte një ndërhyrje të SHBA-ve, Irani mund të bëhet një problem rajonal dhe madje ndërkombëtar.