Juristja dhe aktivistja e shoqërisë civile, Brisida Gjikondi, ka bërë një analizë të aksionit opozitar gjatë emisionit “3D” në RTSH. Duke folur për temën “Përshkallëzimi politik dhe drejtësia”, Gjikondi u shpreh se strategjia e ndjekur aktualisht nga opozita është e gabuar dhe kundërproduktive.
Gjikondi ngriti dyshime mbi vërtetësinë e protestës në sheshe, duke e cilësuar mënyrën e organizimit si “skenar me regji”. Ajo paralajmëroi se përdorimi i dhunës nuk buron nga zemërimi qytetar, por nga manovra politike.
“Është mënyra më e gabuar të mendosh se kjo krizë e madhe morale që ka pushtuar Shqipërinë, të zgjidhet me një protestë me regji. Nuk përjashtoj mundësinë e njerëzve me pagesë për të bërë skena dhune. Shqipëria s‘ka nevojë për këto skena,” deklaroi ajo.
Sipas juristes, çdo skenë zjarri apo përplasjeje fizike i shërben Kryeministrit Rama për të shmangur vëmendjen nga problemet reale të keqqeverisjes.
“Më shumë e forcojnë Ramën skena të tilla se sa e dobësojnë. Rama e kalon këtë krizë me një armik imagjinar si Berisha. Ka 100 gjëra të tjera për t’u marrë që janë shqetësime reale,” theksoi Gjikondi.
Analiza e Gjikondit preku edhe ngërçin e brendshëm të Partisë Demokratike. Ajo argumentoi se protestat po përdoren për të “kalcifikuar” pozitat e Sali Berishës brenda partisë, jo për të rrëzuar qeverinë.
“Nëse duan që të largojnë Ramën, së pari duhet të largojnë Berishën,” tha ajo, duke bërë një krahasim mes pozitave të dy liderëve: “Rama ka problem brenda vendit, por nuk ka probleme jashtë vendit. Në aspektin ndërkombëtar ai i ka gjërat në terezi. Kurse Berisha i ka dramë brenda, dramë jashtë.”
Në mbyllje, aktivistja nënvizoi se beteja kundër korrupsionit kërkon pastërti morale, diçka që sipas saj, grupi aktual drejtues i opozitës nuk e posedon.
“Kur s‘ke moral nuk mund të bësh moral. Një grup të korruptuarish moralisht nuk mund të bëjnë agresivin se po luftojnë korrupsionin,” përfundoi Gjikondi.




















