Klubi i Futbollit Tirana bën me dije se vajza e mitur e futbollistit Freddy Alvarez është ndarë tragjikisht nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytetin shqiptar. I gjithë klubi bardheblu po qëndron pranë futbollistit 30-vjeçar dhe familjes së tij në këto orë të vështira.
Dyshimet e para të policisë lidhen me një rrëzim të vajzës nga krevati dykatësh (marinari), çka ka sjellë dëmtime të parikuperueshme. Prindërit e kanë gjetur të ndjerën me shenja jete, por në gjendje kritike dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital, por as ndihma e specializuar nuk e ka rikthyer të voglën në jetë.
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë. Ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjen Alvarez. U prehtë në paqe”, njofton klubi bardheblu.
KF Tirana kishte sot në program ndeshjen kundër Flamurtarit në orën 13:30, teksa dueli i Superligës është shtyrë për nesër (po në 13:30) pas mirëkuptimit mes dy klubeve. Mesfushori nga Costa Rica, Freddy Alvarez, u bashkua me KF Tiranën në merkaton e këtij janari, ndërsa është aktivizuar për tre takime në Superligë dhe Kupën e Shqipërisë.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllimet dhe shprehet se qëndron pranë futbollistit dhe familjes së tij në këto momente të vështira, ndërsa zyrtarizon shtyrjen e ndeshjes KF Tirana – Flamurtari.
“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez, dhe familjen e tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës së tij. Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë Freddy Alvarez, familjes së tij dhe KF Tiranës në këtë moment zie”, shkruan FSHF.




















