Presidenti i Komunitetit Hebre në Shqipëri, Amos Dojaka, i ftuar në studion e RTSH1 HD në emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arbër Hitaj, ka komentuar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Izrael, duke e cilësuar atë si një ngjarje me rëndësi historike për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Dojaka e përshkroi vizitën si një moment të veçantë, duke theksuar se ,“Me plotë gojë mund të themi që është një vizitë historike, për arsye se ishte një vizitë dy planshe. Së pari përkonte me 81 vjetorin e Holokaustit dhe Shqipëria është një vend i veçantë për Izraelin. Shqipëria është një ndër ato vende që numërohen me gishtat e njërës dorë, që kanë qenë qind për qind në mbrojtje të hebrenjve.”
Ai theksoi se vizita kishte edhe një dimension politik të pazakontë, që sikurse ai u shpreh, ndoshta shumë liderë botërorë, pavarësisht peshës së tyre në politikën ndërkombëtare, nuk kanë pasur mundësinë të flasin në Kuvendin e Izraelit, Knesset.
“Me aq sa kam parë sot, në gjithë median e shkruar dhe vizive, nga më të rëndësishmet në Izrael, i kanë dhënë një jehonë të madhe kësaj vizite. Ishte një vizitë shumë e mirë dhe mund të them që ishte një lobim perfekt dhe ishte një prezantim dinjitoz i shtetit shqiptar. Ishte një vizitë e paimagjinueshme sepse z. Rama u prit nga krerët më të lartë të shtetit, nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, si dhe nga lideri i opozitës.”
Duke iu përgjigjur kritikave që e kanë cilësuar vizitën si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga situata në Gaza, Dojaka i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se, “Këto janë thjesht spekulime. Vizita nuk ka lidhje me shmangien e vëmendjes nga Gaza, por është një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit.”
Në vijim, ai foli për bashkëpunimet konkrete mes dy vendeve, duke veçuar fushën e bujqësisë si një sektor ku Izraeli është avangardë.
“Një nga fushat më të rëndësishme ku Izraeli është avangard është fusha e bujqësisë, ku është pararojë në gjithë agregatët, si në fushën e vaditjes apo bujqësisë intensive, gjë që së fundmi është duke u rritur bashkëpunimi.”
Dojaka përmendi edhe turizmin si një fushë me potencial të madh, sidomos pas nisjes së fluturimeve direkte Shqipëri–Izrael.
“Me nisjen e fluturimeve të drejtpërdrejta Shqipëri–Izrael sigurisht do të ketë shtim të turizmit. Unë mund të deklaroj sot këtu që këtë vit është bërë një fushatë e madhe informuese në Izrael për turizmin që ofron Shqipëria. Si popull që ka dëshirë të njihet me historinë, kulturat, izraelitëve iu është rritur interesi për të vizituar Shqipërinë. Shqipëria dhe Vietnami janë dy shtete në ‘top-list’ si vendet që preferohen së fundi më shumë nga izraelitët.”
Një tjetër fushë e përmendur nga Dojaka ishte kibernetika, ku sipas tij pritet të ketë zhvillime të reja.




















