Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sot për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në orën 12 do të nisë mbledhja e Këshillit, ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë një vendim për çështjen Balluku.

Mbledhja e fundit e Këshillit u mbajt më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Mbledhja zgjati gati 5 orë dhe u zhvillua në praninë e kryeprokurorit të SPAK, Klodian Braho i cili sapo kishte marrë detyrën si dhe prokurorëve të çështjes.

Siç mësoi TCH gjatë mbledhjes SPAK paraqiti një USB me 16 mijë faqe prova për të argumentuar arrestimin e zv.kryeministres Balluku. USB-ja iu dorëzua të gjithë anëtarëve të Këshillit të Mandateve.

Gjatë mbledhjes u mësua gjithashtu se avokatët e Ballukut kërkuan 2 javë kohë për të shqyrtuar materialin e USB-së ndërkohë Prokuroria e Posaçme tha se 3 ditë janë të mjaftueshme.