Qeveria shqiptare ka parashikuar një masterplan me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë, përmes përmirësimit dhe modernizimit të infrastrukturës gjyqësore. Investimet synojnë krijimin e një mjedisi më të sigurt për zhvillimin e proceseve gjyqësore si dhe rritjen e standardeve të aksesit në godinat e gjyqësorit.
Kështu bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSh) gjatë një konference për shty, në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore për të rritur sigurinë në gjykata.
“Siç e ka lançuar dhe kryeministri, qeveria shqiptare ka vizionin e qartë dhe angazhimin e plotë për të vijuar me masterplanin e godinave të gjyqësorit, ku përfshihen jo vetëm gjykatat, por edhe prokuroritë”, tha Lamallari.
Lamallari nënvizoi se Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr procesin e mbledhjes së informacionit nga gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin, duke evidentuar problematikat aktuale, përfshirë sigurinë e objekteve dhe mungesën e hapësirave të përshtatshme për ushtrimin e detyrës.
“Ministria e Drejtësisë ka kryesuar punën për mbledhjen e informacionit të disponueshëm nga gjykata dhe prokuroritë në të gjithë vendin, si në kuptim të gjendjes aktuale, ku përfshihet dhe siguria dhe hapësirat e pamjaftueshme për ushtrimin e detyrës, por edhe pritshmëritë e tyre për nevojat si në kuptim të hapësirave fikse, si për stafet që punojnë aty, për gjyqtarë, prokurorët, stafet ndihmës dhe ato për arkivimin e dosjeve”, u shpreh ai.
Lamallari theksoi gjithashtu se po shqyrtohen modele të suksesshme ndërkombëtare, kryesisht nga Italia dhe vende të tjera evropiane, ku funksionojnë të ashtuquajturat “parqe të drejtësisë”, ku institucionet e drejtësisë janë të përqendruara në një hapësirë të përbashkët.
“Por nga ana tjetër, duke parë edhe modele të ndryshëm që ekzistojnë kryesisht në Itali, por edhe në vende të tjera, të parqeve të drejtësisë, ku bëhen bashkë të gjitha këto institucione, të cilat në fund të ditës, jo vetëm është e lehtë dhe më praktike në kuptim të përditshmërisë të punës të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët e ushtrojnë aktivitetin në një ambient të përbashkët, por edhe të aksesit në drejtësi për qytetarët. Nuk ka kuptim që një qytetar i cili i nënshtrohet një procesi gjyqësor të shkojë sa në prokuroi, më pas të bëjë disa kilometra për të shkuar në gjykatë”, tha ai.
Megjithatë, ministri i Drejtësisë theksoi se bëhet fjalë për një reformë masive, e cila do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri dhe kërkon financim dhe kohën e nevojshme që të jetë sa më e koordinuar.
“Por duhet të jemi realist që kjo është një reformë masive që do të implementohet për herë të parë në Shqipëri dhe kërkon jo vetëm mbështetje të fortë financiare, për të cilën qeveria shqiptare është angazhuar, por kërkon edhe kohën e nevojshme në mënyrë që të jetë sa më e koordinuar, duke prioritizuar këtu ato gjykata dhe prokurori që janë në gjendje më emergjente për ndërhyrje.




















