Liria është e panegociueshme, por ajo nuk mund të ekzistojë pa themelin e fortë të përgjegjësisë. Ky ishte mesazhi që Linda Rama përcolli në emisionin “Aromë gruaje” në RTSH.

Gjatë bisedës, zonja Rama theksoi se liria e vërtetë, ajo e mendimit dhe e fjalës, fitohet vetëm kur individi respekton kodet e shoqërisë – qofshin ato të punës, familjes apo ligjit.

“Nëse nuk merr përgjegjësi, nuk ushtron liri,” argumentoi ajo, duke paralajmëruar se një liri e shfrenuar, pa peshën e detyrimit moral, kthehet në dëm jo vetëm për individin, por edhe për të tjerët. Sipas saj, vetëm pasi të kesh përmbushur detyrimet, “ke mundësi të shijosh lirinë sepse atëherë merresh seriozisht.”

Linda Rama ishte kategorike për thelbin e lirisë së saj.

“Lirinë unë nuk e negocioj me asgjë. Nuk rresht së thëni atë që mendoj,” tha ajo.

Për Linda Ramën, liria nuk është thjesht një koncept filozofik, por një trashëgimi familjare që kalon nga një brez në tjetrin. Në intervistën për RTSH, ajo zbuloi rrënjët e formimit të saj dhe mënyrën se si po e sheh veten të pasqyruar te vajza e saj.

Zonja Rama kujtoi me emocion intuitën e jashtëzakonshme të babait të saj, i cili i dha liri të plotë që në moshë të vogël, bazuar në një besim të palëkundur te karakteri i saj.

“Babai më ushqeu që e vogël që liria është e panegociueshme. Ai kishte intuitë për të kuptuar vullnetin tim të fortë për të qenë një njeri i mirë dhe se unë nuk do abuzoja me lirinë,” rrëfeu ajo, duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë besim.

Ky leksion jete duket se ka dhënë frytet e veta edhe te brezi tjetër. Linda Rama u shpreh e lumtur që sheh të njëjtën pavarësi dhe guxim te vajza e saj.

“E shoh këtë te vajza ime dhe jam e lumtur,” tha ajo, duke nënvizuar se liria e të menduarit dhe të folurit mbetet një vlerë e shenjtë në familjen e tyre.