Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që kërkoi të shtunën në Kuvendin e partisë.

Kundër dorëheqjes së Abdixhikut janë deklaruar 164 anëtarë, ndërsa pro dorëheqjes janë deklaruar 136 anëtarë.

Brenda LDK-së pati ndarje qëndrimesh: disa anëtarë kishin shprehur publikisht mbështetje për Abdixhikun, ndërsa të tjerë kishin kërkuar largimin e tij nga posti. Mes tyre ishte edhe Hykmete Bajrami, e cila kishte dhënë dorëheqje nga posti e nënkryetares së partisë.

Ndërsa, Abdixhiku e ka cilësuar Kuvendin e partisë si akt përgjegjësie politike dhe ballafaqimi me rezultatin zgjedhor, duke theksuar se vendimmarrja për fatin e LDK-së duhet të kthehet tek delegatët dhe jo të zhvillohet në studio televizive apo në rrjete sociale.

Ai deklaroi se këtë Kuvend e ka thirrur vetë, pa pritur presione apo ultimatume, për të përballur hapur anëtarësinë me realitetin politik dhe me nevojën për reflektim të brendshëm.

Abdixhiku mori mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve dhe theksoi se vendimmarrja për të ardhmen e partisë nuk i takon individëve apo zhurmës publike, por vetëm Kuvendit të LDK-së.

Abdixhiku i ofroi dorëheqjen Kuvendit të partisë të shtunën. Ish-kryeministri Avdullah Hoti shprehu gatishmëri për ta udhëhequr LDK-në, por Kuvendi i kësaj partie mori vendim që Abdixhiku të vazhdojë në krye të saj.