Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas jehonës së krijuar në disa media greke dhe nga përfaqësues të politikës në Athinë, lidhur me një deklaratë të tij ku shprehej se “grekët mendojnë se janë pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk janë”.

Në një reagim publik, Rama shprehet i habitur nga mënyra se si, sipas tij, një fjali e thënë me humor miqësor është shkëputur nga konteksti dhe është kthyer në një polemikë me tone nacionaliste.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin John Defterios në panelin e Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi”, shprehet Rama.

Kreu i qeverisë thekson se është e pabesueshme që një deklaratë e bërë në kuadër të një diskutimi informal të kthehet në debat publik me “pathos nacionalist”, fenomen që sipas tij ndodh shpesh në Athinën mediatike.