Në një konferencë për shtyp, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi politikat afatgjata dhe masat konkrete për konsolidimin e reformës në drejtësi, me fokus ndërtimin e një sistemi gjyqësor më efikas, transparent dhe llogaridhënës, më pranë qytetarëve. Konferenca u përqendrua gjithashtu në forcimin e shtetit të së drejtës, vijimin e harmonizimit të legjislacionit dhe zbatimin e një qasjeje të re penale sipas standardeve evropiane, duke e konsideruar drejtësinë një shtyllë kyçe të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër, ministri Lamallari njoftoi se propozimi për amnistinë penale është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave dhe pritet të depozitohet në Kuvend në ditët në vijim. Sipas të dhënave zyrtare, 1230 persona ndodhen aktualisht në sistemin penitenciar, prej të cilëve 338 do të përfitojnë lirim të menjëhershëm nga institucionet e vuajtjes së dënimit dhe 892 të tjerë ulje të dënimit. Amnistia përfshin gjithashtu procedime penale të regjistruara gjatë vitit 2024, duke e çuar numrin total të përfituesve në mbi 10 mijë.

Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me vepra penale të lehta, përfshirë drejtimin e parregullt të automjeteve, për të cilat vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 7700 procedime. Në kategorinë e përfituesve përfshihen edhe grupe vulnerabël, si gra dhe të mitur, në kuadër të një qasjeje më humanizuese të sistemit penal.

Lamallari theksoi se nga amnistia përjashtohen personat që janë nën hetim, gjykim ose dënim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke ruajtur integritetin e reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Sipas ministrit, qëllimi i këtij akti është forcimi i një politike penale më parandaluese dhe rehabilituese, ulja e mbipopullimit në burgje dhe orientimi i sistemit drejt standardeve evropiane, ku dënimi me burg mbetet mjeti i fundit dhe jo masa e parë.