Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë, e zhvilluar në kuadër të Forumit Global për Bujqësinë dhe Ushqimin (GFFA) 2026, ku ishin të pranishëm 61 ministra të bujqësisë dhe 14 përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare.

Konferenca u fokusua në dialogun agro-politik mbi temën e këtij viti “Uji. Korrjet. E ardhmja jonë.”, duke vënë theksin në rëndësinë e sigurisë ujore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

Gjatë punimeve u miratua Komunikata Përfundimtare e GFFA 2026, e cila riafirmon mesazhin se pa ujë nuk ka ushqim dhe pa siguri ujore nuk mund të ketë siguri ushqimore.
Ministri Salla theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht këtë angazhim dhe qasjen që e sheh bujqësinë si pjesë të zgjidhjes globale, përmes përdorimit të ujitjes inteligjente, zbatimit të praktikave që ruajnë tokën dhe burimet ujore, reduktimit të ndotjes dhe zhvillimit të bioekonomisë blu.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai shkroi “Miratuam Komunikatën Përfundimtare të #GFFA2026, duke riafirmuar mesazhin se pa ujë nuk ka ushqim dhe pa siguri ujore nuk ka siguri ushqimore.

Shqipëria i bashkohet plotësisht këtij angazhimi dhe mbështet qasjen që e sheh bujqësinë si pjesë të zgjidhjes globale, përmes ujitjes inteligjente, praktikave që ruajnë tokën dhe ujin, reduktimit të ndotjes dhe zhvillimit të bioekonomisë blu.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në GFFA 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.